Alarmohet Rajkard
15/04/2005 Trajneri i Barcelonës, Frank Rajkard, ka paralajmëruar lojtarët e tij se rrezikojnë të hedhin poshtë shanset për të fituar titullin, nëse nuk vazhdojnë të punojnë më shumë deri në fund të sezonit. Në fakt, katalanasit gjendeshin 11-të pikë në krye të klasifikimit, muajin e kaluar, por pas humbjes, barazimit me Betisin dhe humbjes 4:2, në “Bernabeu”, kanë parë diferencën të ngushtohet në vetëm gjashtë pikë me Realin, ndërkohë që mbeten edhe shtatë ndeshje për t’u zhvilluar. Rajkard ka theksuar se qetësia e disa prej lojtarëve e shqetëson atë më tepër sesa dështimi i së dielës, kundër “galaktikëve” dhe kjo gjë mund të rrezikojë seriozisht titullin. “Jam shumë i shqetësuar nga mënyra sesi humbëm dhe gabimet elementare që bëmë, që më shqetëson më tepër”- deklaroi holandezi, gjatë një interviste për gazetën spanjolle “Elmundodeportivo”. “Ne humbëm përqëndrimin dhe vendosmërinë në fushë. Për më tepër, nuk treguam formën tonë më të mirë dhe vuajtëm shumë në pjesë të veçanta të ndeshjes. Dështuam si nga ana e lojtarëve, ashtu edhe nga ajo kolektive. Shumë lojtarë mendojnë se kanë fituar titullin dhe duken shumë të qetë. Duhet të punojmë shumë më tepër dhe të vazhdojmë të luftojmëm sepse asgjë nuk ka përfunduar”. Gjithashtu, Rajkard ka theksuar se kjo gjë ka ndodhur edhe në dy ndeshjet e fundit. “Të njëjtën gjë treguam si kundër Betisit, ashtu edhe kundër Realit. Nuk mund të bëjmë më gabime të tilla, sepse e kuptuam se mund ta paguajmë shumë shtrenjtë”. Nga ana tjetër, trajneri ka kritikuar lojtarët edhe për faktin se kanë pësuar shtatë gola në dy ndeshjet e fundit. “Unë preferoj një ekip, i cili është i gjithë në sulm dhe i gjithi në mbrojtje. Është diçka e mirë kur në skuadër ka lojtarë që arrijnë të zgjidhin situatat e vështira, por nuk duhet që të tjerët të presin vetëm prej tij. Psikologjia, me të cilën jemi duke u përballur në këtë fund kampionati, është me të vërtetë e keqe. Në fushë duhet të japim gjithmonë maksimumin, të luajmë me vendosmëri, përkushtim dhe mbi të gjitha, të luajmë si një skuadër”- deklaroi Rajkard. Nga ana tjetër, presioni është rritur së tepërmi në kampin katalanas, por holandezi ka theksuar se ekipi i formuar prej tij, i ka të gjitha mundësitë për të arritur drejt titullit, pas gjashtë vitesh. “Gjithçka është në duart tona”- deklaroi ai. “E dimë se çfarë gabimesh jemi duke bërë dhe prandaj, jemi në gjendje t`i zgjidhim ato. Tashmë, lojtarët e dinë mirë se kampionati nuk ka mbaruar akoma dhe se për të dalë triumfues, duhet të luftojmë deri në fund”- përfundoi ai. Në ndeshjen e ardhshme, Barça do të presë në “Kamp Nou”, Getafen, ndërkohë që Reali do të udhëtojë drejt Levantes.