E Diel, 1 Nëntor 2026

Juventus, sezon dështak?

15/04/2005  Eliminimi i papritur në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, nga Liverpuli, kundërshtar i konsideruar nga të gjithë si mëse i kalueshëm, rrezikon ta transformojë sezonin e Juventusit në një dështim total. Një sezon i filluar me premtime të mëdha dhe lavdi, rrezikon në këtë mënyrë të kthehet në një sezon pa trofe, një gjë jo e zakonshme për klubin bardhezi. Pas braktisjes së Kupës së Italisë, ku u eliminuan nga Atalanta, ka ardhur dhe largimi nga Liga e Kampioneve, përsëri nga një kundërshtar i nivelit të dytë, kështu që ka mbetur vetëm kampionati. Por në këtë drejtim, ndeshja kundër Liverpulit ka ndezur disa sinjale alarmi për bardhezinjtë. Skuadra është dukur e frenuar psikologjikisht dhe si rrjedhojë, e paaftë të bëhej e rrezikshme: vetëm dy raste në 90 minuta janë me të vërtetë shumë pak, për një skuadër që duhet të shënonte vetëm një gol dhe që pretendonte fitimin e gjithçkaje këtë sezon. Është e vërtetë që tani skuadra e Kapelos do të ketë avantazhin se mund të përqendrohet plotësisht te kampionati, ndërkohë që Milani do të ketë edhe Ligën e Kampioneve. Por sfida ndaj Liverpulit ka evidentuar edhe frikën e bardhezinjve nga përballjet e mëdha, pikërisht kur po afron ndeshja vendimtare kundër Milanit, në 8 maj në “San Siro”, e cila rrezikon të vendosë jo vetëm kampionatin, por edhe gjithë sezonin bardhezi. Kapelo ka dhe telashe të tjera, pasi David Trezege do të mungojë për 20 ditë, duke bërë që drejtuesit bardhezinj të humbasin durimin dhe të mendojnë për largimin e tij në fund të sezonit. Por në rast dështimi, francezi mund të pasohet edhe nga të tjerë, duke filluar nga trajneri Kapelo, sepse në Torino nuk i tolerojnë sezonet paa asnjë trofe, mjafton të kujtojmë Karlo Ançelotin e Marçelo Lipin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›