Dëmtohet Pirlo, Milani në ankth
15/04/2005 Pas lumturisë për kualifikimin në gjysmëfinalet e Lugës së Kampioneve, Milani fillon të shohë nga e ardhmja, por me një shqetësim: Andrea Pirlon. Ançeloti humbet një pjesë të mozaikut të tij fantastik, ndoshta i vetmi i pazëvendësueshëm nga gjithë skuadra kuqezi, sepse Pirlo është dëmtuar në gjurin e djathë gjatë euroderpit dhe do të jetë i detyruar të qëndrojë rreth një javë pa u stërvitur. E sigurtë mungesa e tij kundër Sienës e Kievos, ndërkohë që mesfushori kuqezi do të bëjë një provë të shtunën e 23 prillit, kur Milani do të luajë në “San Siro” kundër Parmës, për të qenë në formë të mirë për ndeshejn e parë të gjysmëfinaleve, kundër PSV Eindhovenit. Në vens të tij, Ançeloti do të përdorë Ambrozinin, ndërkohë që gjatë ndeshjes mund të përdoret edhe Rui Kosta, nëse do të jetë e nevojshme. Megjithatë, asnjëri nga dy lojtarët e mësipërm nuk zotëron cilësitë e Pirlos, ndaj do të jetë një Milan më i fortë fizikisht, për të kompensuar mungesën e “trurit” kryesor të skuadrës. Ançeloti humbet edhe një lojtar të rëndësishëm për goditjet e dënimit, sepse nuk është një rastësi që dy golat që Milani i shënoi Interit në ndeshjen e parë të euroderbit, u nisën nga këmbët e Pirlos.