E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter, gati "revolucioni"

15/04/2005  Pas dështimit total në këtë sezon, drejtuesit zikaltër kanë ndërmend të ndryshojnë gjithçka

Atmosfera është shumë e rëndë në ambientin zikaltër pas eleminimit të turpshëm nga Liga e Kampioneve. Kur duhet edhe një muaj nga mbyllja e këtij sezoni të dështuar, dilemat e zikaltërve janë të shumta dhe të vështira për t’u zgjidhur. Në radhë të parë, duhet qartësuar nëse do të qëndrojë presidenti Masimo Morati, i cili është njeriu më i trishtuar nga dështimet e pafund të të zgjedhurve të tij. Në rast se Morati qëndron, mund të konfirmohet edhe Mançini në krye të skuadrës, por grupi që nuk e dëshiron më në drejtim sa vjen e forcohet. Duket se vendimtarë do të jenë dy objektivat e mbetur: renditja në vendin e tretë dhe fitimi i Kupës së Italisë. Në rast se Mançini dështon në njërin prej këtyre objektivave, është gati pasardhësi i tij, që me shumë mundësi do të jetë Çezare Prandeli, i cili do të kishte për detyrë të spastronte skuadrën nga shumë elementë të padobishëm. Por kushdo qoftë në drejtim, me siguri nga skuadra zikaltër do të largohen shumë lojtarë që kanë vite që nuk arrijnë të shprehen në maksimum. Nëse Mançini do të qëndrojë, atëherë do të largohen shumë lojtarë që nuk kanë marrëdhënie të mira me të, duke filluar nga Alvaro Rekoba, i cili nuk është dukur më me ardhjen e ish- trajnerit të Lacios. Edhe lojtarë të tjerë nuk gëzojnë marrëdhënie të mira me Mançinin: Davids, Ze Maria e Emre tashmë nuk bëjnë më pjesë në grupin e lojtarëve që grumbullohen dhe kanë kohë që po mendojnë për një skuadër të re sezonin e ardhshëm. Përveç kësaj, edhe Adriano nuk ndihet mirë me trajnerin zikaltër dhe përjashtimi nga derbi i fundit në kampionat e ka rritur pakënaqësinë e tij. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe kapiteni Havier Zaneti, i cili ka humbur shumë nga entuziazni i fillimsezonit. Adriano, i kërkuar me ngulm nga Reali, do të qëndronte me gjithë qejf në Milano, nëse në krye të skuadrës do të vinte Prandeli, me të cilin ka punuar në Parma dhe ka marrëdhënie shumë miqësore. Një lojtar që Interi do ta lësholnte megjithë qejf është Kristian Vieri, për të cilin po flitet për një kalim te Valencia, në këmbim të Marko Di Vaios. Davids mund të kalojë te Reali, në këmbim të Luis Figos, ndërkohë që pranë largimit janë edhe Materaci, Koko, Gamarra, Toldo, Van Der Mejde, Kili Gonzales, Kruz, Karagunis. Për t’i zëvendësuar, janë gati Figo, Luizao, portieri Hulio Sezar, Makinua e Vuçiniç, sa për fillim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›