E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Macja në çatinë e nxehtë"... vjen në Teatrin Kombëtar

15/04/2005  Ditën e shtunë në orën 20.00, në Teatrin Kombëtar do të shfaqet premiera e dramës së dramaturgut të njohur amerikan, Tennesse Williams, "Macja në çatinë e nxehtë". Regjisori i dramës, Spiro Duni, ka theksuar dje për mediat se pas rreth 45 ditë provash intensive, një nga veprat më të mëdha Tennessee Williams, "Macja në çatinë e nxehtë", do të jetë në skenë për publikun kryeqytetas ditën e shtunë. "Duhet të sqaroj disa keqkuptime mediatike nga konferenca e parë për shtyp, ku është thënë se vepra është shkruar në vitin 1985, që, në fakt është shkruar në 1955-ën, apo që është një komedi, kur në fakt është një dramë. Vënia në skenë e kësaj vepre përkon pikërisht me 50-vjetorin e shkrimit të saj, një fakt që i ka bërë disa teatro prestigjiozë në vende të ndryshme të botës, të venë në këtë sezon këtë vepër në skenë. Vepra është vënë në skenë nga regjisorë të mëdhenj dhe është luajtur nga aktorë të mëdhenj, si regjisorë mund të përmend Havier, Lorenc Olivier, i cili edhe ka interpretuar në teatër, por edhe në kinematografi me regji të Elia Kazan me interpretime të Paul Newman dhe Elisabeth Taylor etj.", tha Duni. Në rolet kryesore interpretojnë Bujar Lako, Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Holta Daku, Rajmonda Bulku etj., ndërsa skenografia dhe kostumografia janë të Laedia Hajdarit. "Të shkruash një vepër dhe të vënit në skenë janë dy profesione të ndryshme. Vetë Williams ka thënë se vepra në letër nuk është ende as hija e saj dhe, kur këtë e pohon vetë një dramaturg si ai, nënkuptohet sa e rëndësishme është vënia në skenë e veprës, ku kryesore është materializimi dhe përjetësimi i personazheve, punë që i takon regjisorit dhe aktorëve ta kryejnë", ka nënvizuar Duni, duke shtuar se është përpjekuar ta sjellë në skenë "pa devijuar asgjë nga idetë e autorit, si makutërinë e tmerrshme dhe marrëdhëniet e tejskajshme brenda familjes, një nga arsyet kryesore për të cilat është vënë vepra në skenë, që lidhen ngushtë me marrëdhëniet në këto familje dhe me një skenografi, e cila simbolizon krizën morale, edhe pse bëhet fjalë për një grup njerëzish të pasur". Duke folur për vështirësitë që ka një regjisor në vënien në skenë të kësaj vepre të Williams, regjisori Duni ka nënvizuar se ai nuk të jep dorë ta shikosh nga pikëpamja spektakolare veprën, pasi në përgjithësi veprat e tij janë dialogje, të cilat vazhdojnë edhe 45 minuta në disa raste, "këtu është edhe puna më e vështirë e një regjisori, i cili duhet të ndërtojë një diagramë të shkëlqyer të këtyre dialogjeve, në figurat që mishërohen, sepse te ai, nuk kemi të bëjmë as me groteskun dhe as me farsa. Gjithçka varet nga mënyra si i trajton këto dialogje dhe nga puna e talenti i çdo aktori. Eshtë shumë e vështirë, por, edhe njëkohësisht kënaqësi e madhe, pasi nëse realizohet bashkëpunimi regji-aktor, emocioni në sallë është i jashtëzakonshëm dhe ne besojmë se do ta realizojmë këtë emocion". Më pas, ai vuri në dukje se nuk ka asnjë ndërhyrje në tekstin e autorit, as një përshtatje, e vepra vjen 100% amerikane. Dramat e Williams nuk bazohen në intriga, sikundër në shumë vepra të autorëve të ndryshëm. Ato konsistojnë në zbulimin e karaktereve, që vjen si rezultat i përballjes midis tyre. Ndërsa, aktorja Luiza Xhuvani, midis të tjerash tha se është e tepërt të flas për personazhin, pasi do të jetë vepra vetë që do ta prezantojë atë. "Dua të them se është një vepër që shfaq personazhe tepër të fuqishëm, pasi në marrëdhëniet që i pasqyron autori, dalin edhe dramat. Eshtë fat për secilin prej nesh të jemi pjesë e kësaj vepre. Personazhi im ze një vend tepër të rëndësishëm, i ndarë në dy pjesë, në aktin e parë dhe atë të fundit. Një personash shumë kompleks, shumë interesant. Eshtë një karakter shumë i fortë dhe shumë i ndryshëm nga ato që kam luajtur deri tani. Uroj t'u kënaq. "Të gjitha karakteret janë shumë të fortë dhe shumë interesantë. Një vepër që rezonon shumë në jetën e përditshme, pasi ka një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë", ka përfunduar Xhuvani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›