E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmohet policia e Rinasit, një avion u ul pa njoftuar

Një avion privat ka alarmuar policinë e Rinasit, pasi nuk kishte njoftuar për uljen e tij. Menjëherë janë marrë masat për bllokimin e këtij avioni, ndërkohë që policia ka rrethuar zonën. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja është regjistruar ditën e diel, rreth orës 12:00, ndërkohë që menjëherë janë lajmëruar edhe autoritetet e aeroportit. Sipas policisë, mesditën e dy ditëve më parë, radari ka kapur një avion, i cili i është afruar Rinasit, ndërkohë që autoritetet kanë tentuar të kontaktojnë me pilotin e avionit. Sipas të dhënave, avioni ishte i llojit "Charter" dhe me të mbërritur në Rinas ka bërë një ulje të panjoftuar më parë. Kjo ka shqetësuar autoritetet e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza", por njëkohësisht në lëvizje janë vënë edhe shërbimet e policisë së Komisariatit të Rinasit. Sapo është ndaluar, avioni është rrethuar nga policia dhe është vënë re që brenda tij ndodhej vetëm piloti. Burimet policore bënë të ditur se efektivët blu kanë ushtruar një kontroll të imtë në avion, por është vënë re se nuk ka pasur asnjë person tjetër në bordin e tij dhe asgjë të dyshimtë. Në këto kushte, policia ka shoqëruar pilotin, të cilin e ka marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e incidentit. Policia e Tiranës bëri të ditur se ai ka deklaruar se i përkiste një kompanie italiane dhe se kishte pësuar një defekt në avion, prandaj kishte bërë ulje të detyruar. Megjithatë, kjo ka detyruar policinë të kryejë edhe verifikime të tjera për këtë rast. Sipas informacioneve, nëpërmjet edhe autoriteteve të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, policia është interesuar në Itali mbi këtë pilot dhe avion privat. Pas marrjes së përgjigjes, policia ka vendosur të lirojë sërish pilotin e shoqëruar. Sipas policisë, rasti në fjalë nuk ka përbërë ndonjë problem të madh, pavarësisht se fillimisht u dyshua në disa variante. Megjithatë, policia tha se tashmë Aeroporti i Rinasit, nuk ka asnjë rrezik për shkak edhe të masave të marra në këto ambiente prej kohësh. Sipas grupit hetimor, piloti u mor në pyetje për ulje pa leje në Aeroportin e Rinasit, ndërkohë që fluturimet kanë vazhduar normalisht edhe pas këtij incidenti. Gjithashtu, nga policia u shpjegua se gjatë uljes së këtij avioni, pavarësisht se nuk kishte marrë leje, nuk u shkaktua ndonjë problem për fluturimet e tjera, pasi në atë orar nuk kishte të tilla.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›