E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e ujit, shkarkohet drejtori i Ujësjellësit

Mungesat e tejzgjatura të ujit të pijshëm në kryeqytet, kanë ngjallur pakënaqësinë e qytetarëve. 

fabiola Çela

Përballë një situate të tillë, Këshilli Mbikëqyrës i ujit në mbledhjen e tij të djeshme ka propozuar shkarkimin nga detyra të drejtorit të Ujësjellësit të Tiranës, Kostandin Budurushi. Sipas burimeve nga Këshilli Mbikëqyrës, një propozim i tillë ka ardhur pas problemeve të shumta që ka pasur kryeqyteti me furnizimin me ujë të konsumatorëve. Por ende nuk është marrë një vendim zyrtar për largimin nga detyra të drejtorit të Ujësjellësit të Tiranës.
Kriza
Lagje të tëra në Tiranë kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Më problematike janë zona tek Tirana e Re dhe Selita, "Komuna e Parisit". Në fakt, ekspertët e ujësjellësit e kanë gati një projekt që do t'i jepte zgjidhje një herë e mirë problemeve të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën e Selitës dhe "Komunës së Parisit". Projekti parashikon ndërhyrje në tubacione për të shtuar sasinë e ujit dhe kap një vlerë prej 36 milionë lekësh. Por specialistët e ujësjellësit shpjegojnë se ky projekt ka mbetur përgjysmë, pasi Bashkia e kryeqytetit nuk ka dhënë lejen për çarjen e asfaltit, poshtë të cilit ndodhen tubacionet ekzistues dhe ku do të vendosen të rejat. Selita dhe "Komuna e Parisit" janë dy zonat më problematike për furnizimin me ujë të pijshëm të popullatës. Gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës, ekspertët e ujësjellësit kanë gjetur një zgjidhje për furnizimin me ujë të konsumatorëve. Kështu, në rastet kur prurjet e Selitës do të jenë të pakta dhe do të bjerë niveli i tyre, kjo zonë do të ketë furnizim nga Bovilla, në mënyrë që të shtohen prurjet dhe banorët të mos e ndiejnë aq shumë mungesën e ujit. Furnizimi me ujë i qytetit të Tiranës realizohet nëpërmjet burimeve Selitë-Shën-Mëri, impianti i Bovillës dhe stacioneve të pompimit. Sasia e ujit për litra/sek në të gjitha objektet e mësipërme është rreth 3300 litra. Çdo ditë në qytetin e Tiranës futen në rrjet, nëpërmjet depove të impiantit Bovillë dhe stacioneve të pompimit, rreth 140.000 metra kub ujë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›