E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alba-Demil, 500 mijë $ borxh MEICO-s

Kompania e Delijorgjit, i detyrohej ndërmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes për municionet e shitura për demontim

TIRANË- Kompania e Mihal Delijorgjit, Alba- Demil, i detyrohet ndërmarrjes shtetërore MEICO, rreth 500 mijë dollarë, e cila duhet të ishte shlyer pas procesit të demontimit. Kjo shifër u bë dje e ditur nga drejtori aktual i MEICO-s, Granit Leka, i cili dëshmoi dje në seancën e radhës të procesit "Gërdeci".


Leka, i cili në kohën që ndërmarrjen e drejtonte Ylli Pinari, mbante funksionet e nëndrejtorit, u shpreh dje se borxhi i Alba-Demil mbeti i pa shlyer pasi u bllokuan llogaritë bankare pas ngjarjes së 15 marsit 2008, në ish- repartin e tankeve në Gërdec.


"Unë kam filluar punë në ndërmarrje që në vitin 2005, me detyrën e zëvendës drejtorit. Me kontratat jam njohur pas ngjarjes, kur unë u emërova drejtor i MEICO-s.


Pasi mora detyrën e re, mora vesh që shoqëria Alba-Demil, i kishte një borxh prej rreth 500 mijë eurosh ndërmarrjes që importon dhe eksporton municionet. Unë e di që llogaritë e shoqërisë së Delijorgjit janë bllokuar pas shpërthimit në Gërdec"- u shpreh dje në cilësinë e dëshmitarit, Granit Leka, drejtori aktual i MEICO-s.


Sipas tij ky detyrim është vetëm i Alba-Demil-it, pasi ndërmarrja MEICO, ka bërë faturimin e predhave për këtë kompani. Në dëshminë e tij, Leka u shpreh se nuk ka qenë anëtar i këshillit drejtues të ndërmarrjes që sot drejton dhe sipas tij ai duhet të ishte pjesë e këtij këshilli.


Ndërkohë një tjetër punonjëse e MECO-s, Suzana Burhanaj, asistente e sekretares së drejtorit të ndërmarrjes së import-eksportit të municioneve dëshmoi dje në seancën e radhës të procesit "Gërdeci", që po zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.


Burhanaj konfirmoi dje se në vitin 2007, është realizuar një takim mes Mihal Delijorgjit dhe ish- drejtorit të MEICO-s Ylli Pinari, në zyrën e këtij të fundit. Sipas saj, takimi ka qenë kokë më kokë, dhe nuk ka pasur persona të tjerë prezent.


Dëshmitarja pohoi se kanë ardhur dhe persona të huaj për të takuar Ylli Pinarin, ndërkohë që korrespondenca me subjektet e huaja mbahej nga vetë ish-drejtori i MEICO-s. Ndërsa për sa i përket çështjes së vulës së institucionit, dëshmitarja Suzana Burhanaj u shpreh se me një urdhër të brendshëm, vula mund të mbahej edhe nga vetë drejtori.


Sipas saj, vula mund të mbahej në rastet kur kishte eksporte te municioneve. Ndërkohë dje dëshmoi edhe specialisti i asgjësimit të municioneve, Viktor Përshqefa, i cili ka punuar në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.


Sipas tij, ka pasur mosmarrëveshje midis drejtorit të Logjistikës, Dashnor Çaushajt dhe shefit të sektorit të Armatimit në Shtabin e Përgjithshëm, për mbulimin e shpenzimeve të transportit të municioneve. Sipas Përshqefës, vetë Ylli Pinari kishte kërkuar që shpenzimet e transportit të mbuloheshin nga vetë Forcat e Armatosura. Nga të pandehurit që mbahen në arrest me burg, në seancën e djeshme ishin të pranishëm vetëm Ylli Pinari, ish- drejtori i MEICO-s dhe Sokol Ngjeçi, ish-specialist i kësaj kompanie.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›