Berat, kryebashkiaku denoncon privatizimin e maternitetit

Aktualisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, statusi juridik i kësaj prone rezulton si pronë publike
BERAT - Në një konferencë për shtyp të dhënë për median në paraditen e djeshme kreu i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, ka denoncuar publikisht procedurën e komprometuar të shitjes, të prishjes dhe të administrimit të paligjshëm të ish-godinës së maternitetit të Beratit, e cila nga pronë publike është tjetërsuar në pronë private, pa u zbardhur praktikat ligjore përkatëse të privatizimit.
Aktualisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme statusi juridik i kësaj prone rezulton pronë publike. Kreu Nasufi ka akuzuar drejtuesin e një universiteti privat, Astrit Veliaj, për përvetësim në mënyrë të paligjshme të godinës së ish-maternitetit, duke shpërfillur ligjin dhe i mbështetur në hije nga strukturat qendrore të shtetit.
Nasufi ka ritheksuar se edhe pasi janë konsumuar të gjitha hapat parandalues si akt-pezullimet, gjobat, kallëzimet penale në prokurori dhe edhe pasi janë informuar disa herë Kryeministri, METE, MTKRS, MPB, Ministria e Shëndetësisë, IMK dhe Prokuroria e Përgjithshme, Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit etj, përsëri ka pasur mungesë reagimi ndaj tyre.
"Godina e ish- maternitetit qysh nga muaji prill 2009 është përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga ana e zotit Astrit Veliaj duke shpërfillur ligjin në mënyrë të hapur dhe klandestine, i udhëhequr nga politika e faktit të kryer dhe i mbështetur në hije dhe në heshtje nga strukturat qendrore të shtetit, ka shkatërruar totalisht këtë pronë dhe po bën ndërtim pa leje duke sfiduar ligjin dhe duke anashkaluar të gjitha instancat dhe strukturat e shtetit që zbatojnë ligjin urbanistik.
Përsëri pas ndërhyrjes sonë, - tha Nasufi, - kemi një stimulim në heshtje nga ana e shtetit në favor të shkelësit të ligjit, përsëri legjitimim të vjedhjes së pronës, sërish e sërish "luftë me mullinjtë e erës" përballë mafies së pronave dhe nxitjes me mosveprim të shtetit të mafies për mafiozët."
Sipas Nasufit objekti ku ndërton Astrit Veliaj është në qendër të qytetit dhe ende nuk është miratuar studimi për qendrën e qytetit, lejen për ndërtimin në qendrën e qytetit e jep KRTRSH, leje të cilën Veliaj nuk e disponon, objekti që ndërton ai është në zonën tampon të Qendrës Historike, dhe për leje duhet të shprehet Instituti i Monumenteve të Kulturës, procedurë kjo e cila nuk është realizuar.
Problemet me godinën e ish-maternitetit kanë nisur në muajin prill të vitit 2009 por edhe pse kanë kaluar tashmë 14 muaj ende nuk ka pranë Bashkisë Berat kërkesë me shkrim dhe dokumentacion për të aplikuar për leje ndërtimi.
Në muajin nëntor 2009 Inspektoriati i Ndërtimit i Bashkisë Berat vendosi masën e pezullimit dhe të gjobës prej 2 milionë lekësh të reja, si edhe kallëzim penal ndaj tij, por edhe pas kësaj nuk ka pasur reagim.
Madje, kryebashkiaku Nasufi nënvizoi faktin se nga ana e Prokurorisë Berat ka hapa të vonuar në lidhje me procedimin dhe ndjekjen e kallëzimit çka vë në pikëpyetje autoritetin dhe mosveprimin e ligjit nga nivelet qendrore të shtetit.