E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albademil 500 mijë USD borxh Meico-s

Procesi Drejtori aktual i “Meico”-s konfirmon borxhin. Në gjykatë dëshmon edhe ish-sekretarja e Ylli Pinarit

Drejtori aktual i kompanisë shtetërore të shitblerjeve të armëve “Meico”, Granit Leka, i cili ka zënë vendin e Ylli Pinarit, i arrestuar pas tragjedisë së Gërdecit, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Tiranës duke pohuar se shoqëria “Albademil” i ka borxh “Meico”-s gjysmë milioni USD. I pyetur nga organi i akuzës, Leka ka deklaruar se borxhi nuk është i ri, por i akumuluar nga vitet 2007-2008. Më tej shtoi se gjatë kohës së borxhit ka qenë nëndrejtor i “Meico”-s, por nuk ka pasur dijeni, pasi gjithçka kontrollohej nga vetë Ylli Pinari, aktualisht i marrë në cilësinë e të pandehurit. Ai tha se ka marrë dijeni për këtë fakt vetëm pas tragjedisë së 15 marsit, atëherë kur ka marrë edhe drejtimin e shoqërisë. “‘Albademil’ nuk ka paguar faturat e demontimit të municioneve dhe kjo gjë vazhdon të mbetet e tillë edhe sot”, tha dëshmitari, ndërsa mësohet se pas tragjedisë të gjitha llogaritë e Mihal Delijorgjit u bllokuan me vendim gjykate dhe në këto kushte nuk është bërë e mundur shlyerja e detyrimeve financiare. Biznesmeni Mihal Delijorgji, ish-drejtor i kompanisë “Albademil”, ka borxhe të papaguara që kapin vlera të mëdha. Këto borxhe janë akumuluar që në kohën kur “Albademil” kryente demontimin e municioneve në Gërdec. Sipas dëshmisë së dhënë ditën e djeshme, drejtori i “Meico”-s, Leka, tha se në bazë të urdhrit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të gjitha shpenzimet e transportit duhej t’i bënte kompania “Meico”. Ndërkohë, dje, në sallën e Gjykatës së Tiranës është marrë në pyetje dhe sekretarja e ish-drejtorit Ylli Pinari, Suzana Durhani. Ajo i tha gjykatës se aktualisht është me detyrë juriste pranë “Meico”-s. Durhani i shpjegoi gjykatës punën që kryente ndërsa saktësoi se merrej me korrespodencën e eprorit të saj, Pinarit, dhe linte takimet me personat të cilët e takonin atë. Më tej shtoi se e kishte njohur Delijorgjin pasi ka takuar ish-drejtorin e “Meico”-s, Ylli Pinarin. Ajo tha se nuk ka pasur asnjëherë dijeni për çfarë ishte biseduar në takim, pasi nuk kishte qenë e pranishme. Gjyqtarët e pyetën Durhanin nëse e kishte njohur Patrik Henrin, administratorin e kompanisë SAC, për të cilin ish-sekretarja e Pinarit tha se nuk e ka njohur dhe parë asnjëherë. Pas ish-sekretares së Pinarit, në sallën e gjyqit u thirr edhe specialisti Viktor Përshqefa. Ai tha se janë bërë disa përpjekje nga eprori i tij, Dashnor çaushaj, për të kaluar shpenzimet e transportit tek ushtria, duke ia hequr “Meico”-s. Në gjykatë deklaroi se ka diskutuar me eprorët për shumë probleme, mes të tjerave edhe për shpenzimet dhe në përfundim është vendosur që ruajtja e Gërdecit të bëhej nga ushtria. Më tej ai rikonfirmoi që në fund të takimit me shefin e tij dhe specialistët të vendosej që kostoja e transportit të përballohej nga “Meico”. “Pas këtij takimi kam qenë prezent në disa debate mes eprorit tim, Ilmi Laçaj, dhe drejtorit të Logjistikës, Dashnor çaushaj, për mbulimin e shpenzimeve. çaushaj kërkonte që të zbutej një pikë e urdhrit të ministrit, ku thuhej që shpenzimet t’i mbulonte ‘Meico’ dhe të bëhej që shpenzimet t’i bënin Forcat e Armatosura. Shefi im, Ilmiu, nuk binte dakord dhe kjo sillte debate të vazhdueshme mes tyre”, përfundoi dëshminë Viktori.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›