Alban Bushi: “Bariçit do t’ia shpërblej me gol kundër Sllovenisë”

Albania-sport- Golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare, sulmuesi i njohur Alban Bushi (14 gola), e vlerësoi me nota maksimale ftesën e bërë nga trajneri i përfaqësueses shqiptare, kroati Oto Baric.
"Ftesën e trajnerit Baric për të qenë pjesë e Kombëtares e quaj si një nder që më behet. Në fakt me përfaqësuesen nuk kam luajtur në 5-6 ndeshjet e fundit", pohoi Bushi ekskluzivisht për televizionin e mirënjohur shqiptar, "Vizionplus".
"Gjithmonë objektivi im me ekipin përfaqësues, kudo ku kam luajtur ka qenë shënimi i golit. Edhe forma e mirë që po tregoj me ekipin tim, Apollon Kallamarja dhe golat e shënuar me skuadrën greke kanë pasur edhe si synim rithirrjen në përfaqësueses", shton Albani, që ka shënuar gjatë këtij sezoni 8 gola për ekipin selanikas.
"Ia arrita qëllimit tim që të kthehem në Kombëtare. Tani më del një punë akoma më e madhe, pasi tifozët dhe të gjithë presin shumë nga mua, ashtu si dhe vetë stafi. Unë do të luftoj të jap maksimumin në dy ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë, pasi dua ta shfrytëzoj në maksimum shansin që mu dha. Dua ta justifikoj gjithmonë ashtu sic kam bërë gjithmonë si me Brigelin ashtu dhe me trajnerët e tjerë për të cilët kam luajtur".
Bushi mendon se përballjet me Slloveninë dhe Bullgarinë janë të vështira: "Me ekipet ballkanike është shumë e vështirë pasi me ata nuk ka ecur shumë fati. Unë shpresoj se ky fat i keq të ndryshoj më 24 mars. Ata të kenë rastet, por ne të shënojmë dhe të marrim tripikëshin".
"A do të shënoj? Kur bën gol të gjithë të duan dhe të mbajnë në gojë për mirë, kur nuk shënon je më i keqi. Kështu është futbolli. Dua të theksoj se nga tifozët e kam pasur në maksimum përkrahjen e tyre. Pasi sa herë më është dhënë rasti kam shënuar. Mendoj se do t'ua shpërblej pasi ata e meritojnë këtë", përfundon Bushi, që dëshiron të shënojë në këto dy ndeshje golin e tij të 15.