Rama-Lakrori, përballja vijon në Lezhë
Fushata për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste ka vijuar dje në qytetin e Lezhës. Dy kandidatët, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, janë takuar me anëtarësinë e Partisë Socialiste në këtë qytet, ku kanë kërkuar mbështetjen e tyre për zgjedhjet e 26 shtatorit, të cilat do të zhvillohen sipas parimit “një anëtar, një votë”. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kreu në detyrë i PS-së ka përsëritur qëndrimin për të mos njohur Parlamentin dhe qeverinë e re. Sipas tij, këto dy institucione nuk mund të njihen nga ana e Partisë Socialiste, pasi janë produkte të një palë zgjedhjeve të deformuara dhe të manipuluara. Rama akuzoi kryeministrin Berisha se bashkëpunoi me elementët kriminalë për grabitjen e zgjedhjeve. Ai paralajmëroi vazhdimin e bojkotit nga ana e Partisë Socialiste dhe përshkallëzimin e protestave.
Ndërkaq, kandidati tjetër, Maqo Lakrori, tha se në rast se ai do të zgjidhej kryetar i PS-së, do të angazhohej për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por, nga ana tjetër, ai përsëriti idenë e tij se PS-ja ka nevojë për të ndryshuar. Sipas tij, është shumë e domosdoshme që PS-ja të shkëputet nga modeli i një lideri autoritar.
Takimi i Lezhës ka qenë i treti i fushatës së përbashkët të kandidatëve për zgjedhjen e kreut të PS-së, pas takimit të zhvilluar në Elbasan dhe në Durrës. Ndonëse kjo është një risi në PS, kundërshtarët brenda partisë të Ramës nuk kanë ngurruar ta kritikojnë këtë proces. Deputeti socialist, Marko Bello, e cilësoi farsë garën zgjedhore midis dy kandidatëve Edi Rama dhe Maqo Lakrori.
13 Shtator 2009