E Diel, 1 Nëntor 2026

Alban Çela: Naftëtari nuk do ti zhgënjejë tifozët, mbijetojmë në të Parën

Mesfushori shpreson se loja që do të zhvillojë ekipi këtë sezon do ti falë kënaqësi tifozerisë dhe në fund do arrijnë të qëndrojnë në Kategorinë e Parë

 

Nga ARBEN ÇEPANI

 

Përgatitjet e kuçovarëve për sezonin e ri janë kulmin e tyre, ku shumë shpejt do të fillojnë dhe miqësoret. Është fiksuar dhe kundërshtari i parë, ku ditën e shtunë Naftëtari do të presë në stadiumin Bashkim Sulejmani Albpetrolin e Patosit. Ky takim pritet me mjaft interes nga tifozët, të cilët nuk e kanë parë skuadrën e tyre në aksion, që nga përballja e fundit me Gramozin, në të cilën u sigurua edhe rikthimi në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, faza përgatitore është vlerësuar seriozisht nga futbollistët, të cilët shprehen të bindur për një paraqitje dinjitoze në kampionat. Pretendimet e tyre për sezonin e ri do të jenë modeste, ku do të kërkohet mbijetesa. Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Vasili shpresojnë për një arritje më të lartë se objektivi kryesor, duke u shprehur, se Naftëtari do të jetë një kockë e fortë për të gjitha ekipet e tjera pjesëmarrëse në Kategorisë e Parë. Të gjithë lojtarët, duken të kënaqur me punën që ka zhvilluar stafi teknik gjatë kësaj periudhe. Siç dihet, kuçovarët drejtohen tashmë nga dyshja Vasili-Koroveshi, të cilët po stërvitin prej disa javësh skuadrën, me një përkushtim të lartë. Përgatitjet po kryhen në ambientet sportive të qytetit të Kuçovës, ku pavarësisht temperaturave të larta, konstatohet një dëshirë të madhe e futbollistëve për të marrë ngarkesat e duhura gjatë seancave stërvitore. Ndërkohë, mesfushori Alban Çela pohon se te Naftëtari, gjithçka po ecën sipas parashikimeve. ”Po stërvitemi seriozisht dhe jemi duke përballuar me sukses ngarkesat që po jep stafi teknik, ku jemi padyshim të kënaqur  nga puna e këtyre të fundit. Po punojmë intensivisht gjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që shumë shpejt të luajmë edhe ndeshjet miqësore, të cilat do të na shërbejnë shumë. Kampionatin e ri do ta përballojmë me sukses të plotë. Kemi objektiva minimalë, pasi këtë vit do të kërkojmë mbijetesën. Mendoj se do ta realizojmë me sukses këtë synim, edhe pse duhet të vlerësojmë në maksimum të gjitha takimet që do të luajmë. Shpresoj që paraqitja jonë të jetë dinjitoze, pasi kërkojmë që mos të zhgënjejmë edhe tifozerinë tonë, përkundrazi, tu dhurojmë atyre takime me emocione dhe me lojë të kënaqshme, pa veçuar edhe marrjen e rezultatit, që do të na nevojitet për tu pozicionuar sa më lart në tabelën e klasifikimit, -përfundon mesfushori Alban Çela

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›