Albana Vokshi - Pasioni familjar për politikën
Ka qenë e treta e motrave Vokshi. Të gjithë kështu e identifikonin. E lindur në kryeqytet, në shkurt 1971, në një familje të thjeshtë me origjine kosovare. Në familje vijnë dy motrat më të mëdha se vetja, e pas saj vëllai Artani. “Babai im Sadiku tani në pension, ka punuar si pedagog në Universitetin e Tiranës. I rreptë, por i drejtë si në shtëpi ashtu edhe me studentët e tij. Mamaja, Servetja, nuk jeton më. Mund të them që ka qenë njeriu që simbolizonte qetësinë, mirësinë, urtësinë, dhembshurinë, etj. Ajo ishte vendi ku “faleshim” për të gjitha problemet dhe shqetësimet tona”, tregon deputetja e re e Parlamentit, përfaqësuese e Partisë Demokratike në Durrës, Albana Vokshi. Por familja e saj, nuk mbetet vetëm kaq. Pjesë e saj janë dhe dy mbesat Ajlini dhe Martina, dy nipërit, Keni dhe Alani dhe së fundmi, dy vajzat e saj Ajna dhe Ami...
Na thoni diçka më shumë rreth vajzave tuaja.
Ajna është dy vjeç dhe Ami një. Ndërsa Ami është ende e vogël, Ajna sapo ka filluar të artikulojë fjalitë e para sipas mënyrës së vet. Është shumë interesante mënyra se si ajo mëson çdo ditë dhe e pasuron fjalorin e saj, duke i thënë fjalët në mënyrën më të këndshme gjysma-gjysma.
Si e konsideroni veten si nënë?
Është ndjesia më e bukur në botë. Jam e lumtur që jam nënë dhe jam më shumë e lumtur që kam Amin dhe Ajnën. Fëmija është gjëja më e shtrenjtë në botë dhe e bën nënën të bëhet më e butë, më tolerante, por në të njëjtën kohë edhe më të fortë për të kapërcyer çdo pengesë, nëse do t’i duhet, për të arritur atë që kërkon për hir të tyre.
Jeni e vetmja në fisin tuaj që merreni me politikë apo keni një prejardhje? Si ju shohin në familje si deputete të re?
Nuk mund ta them një gjë të tillë. Në një farë mënyre pothuajse të gjithë pjesëtarët, nga rrethana të ndryshme, kanë qenë të përfshirë në një mënyrë apo në një tjetër në politikë. Kështu, babait tim i pëlqen politika dhe lexon shumë rreth saj dhe diskuton shpesh me miqtë e tij. Ndjek çdo aktivitet të organizuar nga Partia Demokratike e sigurisht ndjek me shumë interes çdo dalje timen në publik apo aktivitet politik. Blen dhe ruan çdo gazetë apo revistë ku unë shfaqem qoftë edhe shkarazi. E sigurisht më jep këshilla e bën komente rreth tyre.
Motra e madhe, Mimoza ka mbajtur një post politik për pesë vjet me radhë si këshilltare e Z. Sali Berisha, gjatë periudhës që ai ishte President. Motra tjetër Vjollca, jo sepse është motra ime por sepse e thonë të gjithë, bëri reformë në gazetarinë televizive dhe në të njëjtën kohë pa dashje u fut në politikë nga e cila kaloi edhe momente shumë të vështira, pasi për shkak të presioneve të ndryshme nga partia në pushtet e asaj kohe u detyrua të linte edhe vendin.
Ne jemi shumë të lidhur në familjen tonë dhe mund të them qenia deputete e një pjesëtari të saj nuk përbën faktor për ndryshime të brendshme. Por, çdo person i familjes më ka mbështetur dhe ndihmuar në futjen time në politikën publike. Janë ata me të cilët këshillohem për shumë çështje, duke filluar që nga veshja (sigurisht me motrat) e duke vazhduar deri tek mendime ose opinione rreth ngjarjeve apo çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë më profesionin që ushtroj tani.