Ledina Alolli - Kitara që e magjepsi
Ka lindur në Korçë,
siç thotë edhe vetë, në qytetin e serenatave dhe rrugicave me kalldrëm, në 19 korrik të vitit 1975. Fëmijëria e saj mund të përcaktohet thjesht: e lumtur. Zgjedhja e saj profesionale, duket është ndikuar nga nëna. U bë ekonomiste edhe pse ëndërronte të studionte drejtësi. Zgjedhja e saj përkoi me hapjen e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Korçës. Dhe kjo ishte një arsye. Por ndikimin e së ëmës, Ledina Alolli nuk e mohon. Pastaj thotë: “Tani që e mendoj, them se nuk ka qenë zgjedhje e gabuar”. Puna e saj e parë ka nisur në Universitetin e Korçës. “Lidhjet me këtë institucion vazhdoj t’i mbaj dhe do të vazhdoj t’i mbaj edhe në të ardhmen”, thotë teksa është deputete e Kuvendit. Ndryshimi i parë në karrierën e saj qysh nga diplomimi është marrja e mandatit si deputete në Kuvendin Popullor, të cilin e konsideron si një ndër arritjet e saj. Kurse për jetën private, rrëfen më në detaje...
Jeni e martuar, nënë e dy fëmijëve: cila është historia e njohjes suaj me bashkëshortin?
Jemi njohur në vitin 1993, gjatë një aktiviteti, që organizonte shkolla ime e mesme. Tefiku, që më pas do të bëhej edhe bashkëshorti im, ishte duke kënduar dhe luajtur në kitarë, një prej këngëve më të njohura të Erik Klepton, që titullohet “Lejla”. Zëri i tij i ëmbël dhe tingujt mahnitës që lëshonte kitara e tij, më mahnitën, me sa duket përgjithmonë.
Si kanë qenë fillimet e lidhjes, fejesë, martesë?
Lidhja jonë e dashurisë vazhdoi për disa vite dhe me përfundimin e studimeve të larta, duke respektuar traditën tonë, unë dhe bashkëshorti im, kurorëzuam lidhjen tonë me një ceremoni të paharruar martesore.
Kush është bashkëshorti juaj, (të dhëna rreth tij) ç’është ai për ju?
Tefiku, bashkëshorti im, është njeriu më i rëndësishëm i jetës sime dhe gjysma ime më e mirë. Ai është njeriu, që më ka mësuar dhe orientuar në përzgjedhjet e mia më të rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe politikën. Duke qenë një prej studentëve të dhjetorit dhe pjesëmarrës në grevën e urisë të atij viti, që sollën përmbysjen e madhe dhe rilindjen e shqiptarëve, natyrisht që kjo influencoi edhe në drejtimin tim politik, duke bërë që edhe unë të militoja në PD. Për sa i përket formimit të tij profesional, bashkëshorti im, ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Dega Inxhinieri–Gjeologji. Më pas ka përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë, Dega Financë, në Universitetin e Korçës. Aktualisht punon pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Korçë në detyrën e drejtorit të hetimit. Për shkak të pasionit të tij të hershëm për drejtësinë dhe gjithashtu, për të realizuar edhe një prej ëndrrave të mia, që në fakt mbeti vetëm e tillë, e kam inkurajuar që të fillojë studimet për drejtësi në fakultetin juridik të një universiteti privat në Korçë.
Le të flasim për ju si nënë...
Deri në marrjen e kësaj detyre, gjithçka për mua fillonte dhe mbaronte me fëmijët. Fëmijët janë kuptimi, motivi dhe gëzimi më i madh i jetës sime. Kam një djalë, Erikun, 10 vjeç dhe një vajzë, Kethrin, 10 muaj. Eriku është nxënës në klasën e 5-të, i shkëlqyer me mësime, gjithashtu ai ka talent të veçantë për pianon, (me sa duket ka trashëguar nga babai pasionin për muzikën).
Por tani, ka të ngjarë që impenjimi juaj politik t’ju pengojë lidhur me fëmijët...
Momentalisht e kam të vështirë, pikërisht për shkak të angazhimit të ri, që të jem gjatë gjithë kohës me ta. Por jam e sigurt se atyre në asnjë moment nuk u mungon dhe nuk do t’u mungojë dashuria dhe përkushtimi im. Natyrisht, që çastet më të lumtura për mua janë kur e gjithë familja bashkohet dhe ndajmë me njëri-tjetrin gjithçka ka ndodhur gjatë javës.
Folët për ndikimin e bashkëshortit në përfshirjen tuaj në politikë...
Frymëzimi më i madh ka qenë familja. Tek ata buron forca ime. Mirëkuptimi dhe mbështetja e tyre më kanë dhënë shtysën më të madhe për të ecur përpara. Peshën më të madhe në këtë detyrë e mban bashkëshorti im, i cili është këshilltari im më i mirë.
Jeni e vetmja në fisin tuaj që merreni me politikë? Si ju shohin?
Nëse marrim kuptimin e mirëfilltë të fjalës politikë, të gjithë pjesëtarët e fisit tim merren me politikë, duke filluar që nga babai im, i cili prej vitit ‘92 është anëtar i PD dhe po ashtu edhe bashkëshorti im. Rrethanat e caktuara bënë që unë të jem më e suksesshmja e familjes sime për sa i përket fushës politike, në të ardhmen, ku i dihet... Duke jetuar në një familje të tillë, që është e angazhuar shpirtërisht me politikën e djathtë, edhe unë e kam më të lehtë perceptimin e realiteteve të ndryshme, edhe kur ato janë të ndërlikuara.