Gota
Edmond Tupja
Kur pijanecët apo pijetarët, tek hanë e pinë në tryeza të mbushura plot e përplot, përgjysmë apo edhe fare pak, pastaj ngrenë gotat për shëndetin e tyre e të të tjerëve, ose kur kthehen nga kamerieri dhe i thonë me zë të lartë: “Edhe nga një gotë tjetër, djalosh!”, atyre nuk u shkon aspak nëpër mend se fjala “gotë” sapo ka marrë një tingëllim të veçantë politik që kur një ndërkombëtar e shqiptoi, këto ditët e fundit, gjatë një interviste apo ligjërimi të përcjellë në trajtë kronike nga mediat elektronike, pra që kur, duke komentuar Raportin e Komisionit Europian për përparimin e kryer në Shqipëri me zgjedhjet e 28 qershorit, ai foli “për gotën gjysmë plot”, çka nxjerr në pah optimizmin e tij relativ për të ardhmen e afërt të Shqipërisë. Sigurisht, po të kishte thënë “gjysmë bosh”, këndvështrimi i tij do të kishte qenë pesimist, sepse dihet tashmë ndryshimi midis një optimisti (për të cilin një gotë e mbushur përgjysmë është gjysmë plot) dhe një pesimisti (për të cilin e njëjta gotë, pra, e mbushur përgjysmë, është gjysmë bosh).
Ky ndryshim këndvështrimesh i të njëjtit realitet objektiv nxjerr më së miri në pah subjektivitetin e pashmangshëm të natyrës njerëzore. Të natyrës njerëzore, sidomos kur ajo merret me politikë. I njëjti raport nga ana e Komisionit Europian, dy interpretime të ndryshme, madje gati të kundërta nga ana e krerëve të shumicës dhe të pakicës parlamentare në Shqipëri. Sali Berisha dhe Ilir Meta mendojnë se ai është pozitiv për shtetin shqiptar duke u treguar kështu optimistë (gota gjysmë plot), kurse Edi Rama mendon se ai është negativ duke u treguar kështu pesimist (gota gjysmë bosh). Me sa di, as dy të parët dhe as i treti nuk janë pijanecë apo pijetarë, pavarësisht etjes që kanë për t’i bërë realitet vizionet e tyre politike, por që të tre nuk i ndahen gotës së politikës, qoftë ajo e mbushur përgjysmë apo e zbrazur përgjysmë.
Sidoqoftë, kjo futje e fjalës “gotë” në politikën shqiptare falë përdorimit të saj të figurshëm nga një ndërkombëtar, dëshmon, të paktën sipas mendimit tim modest, se fjalori politik i shqipes nuk resht së pasuruari. Dhe meqë sapo përmenda fjalën “fjalor”, le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, që t’i them çka vijon: Dje i hodha një sy po aq të vëmendshëm e të paanshëm sa ai vetë fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe (Botimet EDFA, Tiranë 2007) pikërisht te fjala “gotë” ku zbulova, ndër të tjera, se gotës i thokan edhe “bardhak”, “gastare”, “kupë” dhe “qeft”, fjalë këto që më zhytën disa minuta në mendime, të cilat nuk po vonoj t’ia parashtroj për t’i shuar kureshtjen.
Fjala “bardhak” më kujtoi proverbin “Ç’ka barku e nxjerr bardhaku” që është i vlefshëm për pijanecët ose pijetarët, por jo për politikanët tanë, qofshin ata pushtetarë apo opozitarë, vetëm se krerët e pushtetit dhe ata të opozitës tek ne nuk drogohen me alkool, por me pushtet (Vëreni se, ashtu si fjalët “pijanec” apo “pijetar”, edhe fjalët “politikan e pushtetar”, pa përmendur shumë fjalë të tjera, më të nxehta ose më të kripura, pra, erotike, fillojnë me “P”! Këtë e dëshmon edhe Fjalori erotik i gjuhës shqipe, Botimet ORA, Tiranë 2004: termat erotikë që fillojnë me “P” zënë në të dhjetë faqe, ndjekur nga ata që fillojnë me “K” dhe që zënë gjashtë faqe) .
Fjala “gastare” më kujton gjyshen, elbasanllie 24 karat, që e shqiptonte “gastall”, fjalë kjo shumë interesante, sepse përmban edhe gaz, edhe tallje. A nuk na bëjnë të qeshim, ndonëse edhe hidhtas, shumë nga politikanët e sotëm? A nuk tallen herë pas here ata me ne?
Fjala “kupë” gjithashtu u vjen shumë për shtat politikanëve tanë: A nuk e mbushin nganjëherë ata kupën, edhe pse militantët dhe simpatizantët e partive, nëpër pritje dhe kokteje, e ngrenë kupën për shëndetin e liderëve duke qenë të bindur se ata janë për t’u pirë në kupë, pavarësisht se ndodh që ndonjëri prej tyre ha bukën e përmbys kupën pasi e ka zbrazur pa asnjë druajtje?
Fjala “qeft” më duket edhe më interesante nga tërë të mësipërmet sepse më kujton fjalën “qejf”: a nuk është e vërtetë që politikanët tanë të madhe, shumë të madhe e kanë lodhjen, por të madh, shumë të madh e kanë edhe qejfin, madje më të madh sesa e ka gomari... durimin.
Sepse vërtet të madh, shumë të madh, sa të gomarit, e paskemi ne, shqiptarët e përditshëm, e zakonshëm, anonimë, durimin që po shpalosim qysh nga shembja e regjimit hoxhist për ta parë gotën gjysmë plot të mbushet edhe ca, s’po them deri në buzë, por të mbushet aq sa të besojmë se s’ka më arsye që optimizmi të jetë fjalë boshe.