Niçolo Fabi koncert në Sheshin “Nënë Tereza”
Pas një rrugëtimi në Sarandë, Vlorë, Pogradec, Durrës dhe Lezhë përmes projektimeve të filmave për fëmijë dhe të rinj, “Prolog Giffoni” mbyllet sot në mbrëmje me një koncert të madh në orën 20:00 në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Si pjesë e aktiviteteve “Shqipëri-Itali: dy popuj, një det, një miqësi”, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, i ftuar special i koncertit është këngëtari i njohur italian, Niçolo Fabi si dhe grupi i “Sbandieratori di Gubbio”, i njohur për spektaklet e rralla me flamuj. Niçolo Fabi, kantautori italian, i cili që nga viti 1996, kur edhe u afirmua si këngëtar ka realizuar 13 albume muzikore. Pas publikimit të këngës “Dica”, një vit më vonë ai konkurron në Festivalin e Sanremos me këngën “Capelli”, me të cilën fiton çmimin e kritikës për kategorinë e të rinjve dhe bëhet një zë premtues dhe i dashur për rininë. Ndonëse i diplomuar për gjuhët neolatine, Fabio i dedikohet tërësisht muzikës, duke nxjerrë në vitet në vijim një sërë albumesh dhe këngësh të suksesshme. “Niçolo Fabi”, “Sereno ad ovest”, “La cura del tempo”, “Novo Mesto”, “Dischi volanti 1996-2006”, “Dentro”, “Violenza 124” janë disa nga albumet e tij, ndërkohë që vetëm një vit më parë u publikua albumi i tij më i fundit i titulluar “Solo un uomo”. I pranishëm në Tiranë, Niçolo Fabi do të interpretojë disa nga këngët më të suksesshme të repertorit. Veç tij, në koncertin e madh të organizuar nga “Prolog Giffoni”, sot në mbrëmje, do të ngjiten në skenë këngëtarët e rinj më të njohur shqiptar si grupi “Produkt 28”, Orinda Huta, Samanta Karavello, Rosela Gjylbeku, Big Basta dhe Ester Hoxha, duke premtuar disa orë argëtimi të sigurt. Për t’i dhënë më shumë ngjyra këtij koncerti, të ftuar specialë nga Italia do të jenë edhe flamurhedhësit. “Sbandieratori di Gubbio” përcjellin që nga mesjeta traditën e lojës me flamuj. Në skenën e ngritur posaçërisht për këtë koncert, ata do të ofrojnë një pamje magjike të lojës me flamuj, shoqëruar njëkohësisht me kolona muzikore. Gjatë viteve të fundit, “Sbandieratori di Gubbio” kanë marrë pjesë në më shumë se 1100 manifestime në të gjithë botën, duke qenë të pranishëm me performancën e tyre në më se 35 vende të ndryshme. Një spektakël për të mos u humbur, realizuar në mbyllje të turit të “Prolog Giffoni”, formati i vetëm që e çon filmin për fëmijë e të rinj në qytete të ndryshme të Shqipërisë, aty ku kinematë mungojnë dhe ku flitet shumë pak për filmat e fëmijëve. Me një projeksion të realizuar teknikisht nga “Rock Sound”, gjatë koncertit do të shfaqjen pamje filmike nga projeksionet dhe takimet e suksesshme të “Giffoni Filmffestival Albania” dhe “Prolog Giffoni”, me publikun e ri, atë publik që ky format po e rikthen në magjinë e ekranit të madh.