E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, 100 mijë euro për Duron



Drejtuesit e KF Elbasani kanë gati një ofertë zyrtare për mesfushorin e Kombëtares Klodian Duro. Lajmi në fjalë mësohet nga burime të sigurta pranë aksionerëve të skuadrës, të cilët në 10 ditët e ardhshme pritet të bëjnë zyrtare ofertën drejtuar futbollistit. Elbasani kthehet pas një viti mungesë në elitën e futbollit shqiptar dhe një lojtar si Duro do ta ndihmonte ndjeshëm që skuadra të kthehej në nivelet e pak viteve më parë, kur dilte edhe Kampione e Shqipërisë. Sipas të njëjtave burimeve mësohet se oferta që mund t’i bëhet Duros në ditët në vijim mund të jetë marramendëse dhe që mund të kapë vlerën e 100 mijë eurove. Ndërkohë nuk dihet ende nëse Klodian Duro ka nisur të kontaktojë apo jo me drejtuesit e lartë të skuadrës së Elbasanit të cilët për këtë çështje janë shprehur vetëm në ambjente të mbyllura dhe ende jo në publik. Mbërritjen e Duros në Elbasan e kushtëzon edhe fakti se futbollisti është pa një kontratë. Së fundmi ai ka luajtur në kampionatin qipriot te Apolon Limasol por është aktivizuar në vetëm 8 ndeshje, kryesisht në pjesën e parë të sezonit. Me ardhjen në krye të kësaj skuadre të trajnerit serb, Slobodan Krçmareviç, mesfushori shqiptar u degdis në stol dhe së fundmi ka dalë fare nga planet e këtij trajneri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›