Gjermania fiton Europianin e këngës, Shqipëria e 15
alma mile
Me këngën “Satellite”, Gjermania fiton Festivalin Europian 2010. Me 246 pikë, këngëtarja gjermane i dha të drejtën Gjermanisë të presë vitin e ardhshëm Festivalin Europian. Në renditjen përfundimtare, Gjermania u ndoq nga Turqia, me 170 pikë, e më tej nga Rumania, me 162. Ndërsa Shqipëria u rendit në vendin e 15-të, me 62 pikë, të mbledhura me shumë mundim. Ndonëse këtë vit shpresuam shumë në interpretimin e Juliana Pashës dhe në ndryshimin e sistemit të votimit, nuk arritëm dot të shkëputemi nga vendi i përhershëm, në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes. Edhe formula e re e votimit, ku 50% i takonte jurisë dhe 50% votimit popullor, tregoi lobingun e gjithhershëm. Nën drejtimin e Nadia Hasnaoui, Erik Solbakken dhe Haddy Jatou N’Jie, mbrëmë në orën 21:00 në Pallatin e Sportit “Telenor Arena”, në Oslo të Norvegjisë, u zhvillua nata finale e edicionit të 55-të të Festivalit Europian. Sipas shortit të hedhur menjëherë pas natës së parë gjysmëfinale, Juliana Pasha u ngjit e 15-a në skenën e Oslos, me këngën “Nuk mundem pa ty” ( “It’s all abort you”), kompozim i Ardit Gjebresë, tekst të Ardit Gjebresë dhe Pirro çakos. Thua se Juliana e parandjeu se do të renditej e 15-a në finale, kur zgjodhi globin që mbante këtë numër. Performanca e mbrëmshme ishte po ajo e natës së parë gjysmëfinale. Jualiana u shfaq po aq e fuqishme. Vokalit të saj iu shtuan edhe zërat e tre shoqërueseve të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Glenys Vargas, Desiree Keedjour dhe Joy, pa harruar violinistin ekzibicionist, Olen çezari. Veshja ishte po ajo, nën firmën e Joni Peçit. Por duket se nuk mjafton thjesht dhe vetëm një paraqitje e mirë në Eurosong. Me sa duket, dita kur Festivali Europian të zhvillohet në Shqipëri, do të jetë shumë e largët.
Nga 39 vendet pjesëmarrëse, 25 ishin ata që shkuan në finale, përzgjedhur përgjatë dy netëve gjysmëfinale, të zhvilluara më 25 dhe 27 maj. Finalistëve të dy netëve gjysmëfinale iu shtuan në mënyrë automatike, katër shtetet e përhershme, që sponsorizojnë Eurosongun, që janë Gjermania, Franca, Anglia dhe Spanja, si dhe vendi fitues i një viti më parë, pra Norvegjia. Pas një përshëndetje nga fituesi i një viti më parë, Alexander Rybak, e para që nisi garën ishte këngëtarja simpatike Safura, që përfaqësonte Azerbajxhanin, për të vijuar me Spanjën, Norvegjinë, Moldavinë, Qipron, Bosnje Hercegovinën, deri te Danimarka, që mbylli konkurrimin, për t’ia lënë vendin pjesës më të nxehtë të kësaj nate, që ishte votimi. Vendet që i dhanë pikët më të larta këngës shqiptare ishin Maqedonia me 12 pikë, Greqia 10 pikë, Zvicra, Islanda, Turqia, Bosnje Hercegovina, etj. Një votim i pritshëm, veç Islandës, e cila i dha Shqipërisë 7 pikë.
Sipas organizatorëve, festivali u ndoq nga 18 mijë shikues në “Telenor Arena” dhe më shumë se 120 milionë teleshikues në 45 vende.
Vetëm dy vende më lartë
Edhe kënga e Juliana Pashës pati të njëjtin fat si paraardhëset e saj. Prej Anjeza Shahinit, e cila ishte e para që përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong, dhe u rendit e shtata, të gjithë që erdhën pas saj, nuk u ngritën më lart se vendi i 15-ë. Për tri vite me radhë Shqipëria është renditur e 17-a në votimin përfundimtar e ku si gjithnjë ka marrë pikë prej fqinjëve tanë, Maqedoni, Greqi, apo Turqi, vende këto ku ka edhe më shumë shqiptarë. Veçse këtë vit mundëm të ngrihemi dy radhë nga tri vitet e mëparshme.
Vendet që votuan Shqipërinë
Maqedonia 12 pikë
Greqia 10 pikë
Zvicra 8 pikë
Islanda 7 pikë
Turqia 7 pikë
Bosnje Hercegovina 5 pikë
Kroacia 5 pikë
Belgjika 3 pikë
Polonia 2 pikë
Gjermania 1 pikë
Rumania 1 pikë
Anglia 1 pikë