Çmimi, 90 artistë në garë
Rreth 90 studiues, artistë dhe personalitete të ndryshme konkurruan midis tyre për të fituar çmimin e madh për tre kategoritë, pikërisht për librin më të mirë në fushën e shkencës dhe të kulturës islame, për pikturën më të mirë dhe për krijimtarinë më të mirë për moshat e reja. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) shpalli paraditen e së shtunës në një ceremoni festive të zhvilluar në Hotel “Rogner”, fituesit e çmimeve “AIITC 2009”. Me “çmimin AIITC 2009” u vlerësuan artistët, të cilët gjatë një viti më parë botuan libra në fushën e shkencës dhe kulturës islame, si dhe krijuan peizazhe. Gjithashtu, u vlerësuan dhe artistë të rinj, të cilët u paraqitën në këtë konkurs me botime të veçanta në poezi dhe prozë me temë: “E bukura në shpirt dhe në jetë”. Si libri më i mirë i botuar në vitin 2009 në fushën e shkencës dhe kulturës islame u vlerësua Fjalori “Arabisht-Shqip” me 70.000 fjalë, i ish-diplomatit Sulejman Tomçini. Ndërkohë, në këtë kategori me çmime inkurajuese u vlerësuan dhe librat e autorëve Edvin Cami “Gëtja mes Perëndimit dhe Misticizmit Oriental” si dhe libri “Ti, vetvetja dhe çështjet e tua”, i autorit Avni Tafili. Peizazhi më i bukur në penelet e piktorëve shqiptarë, nga 7 artistë pjesëmarrës, u përzgjodh ai i piktorit Orion Shima. Në kategorinë e krijimtarisë letrare të moshave të reja u vlerësua me çmimin e parë Ivana Dervishi me poezi.