E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF shet 5.1 milionë euro të drejtën TV



Leonard Karaj

Federata Shqiptare e Futbollit ka shitur 5.1 milionë euro të drejtën televizive të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare për kualifikimet e EURO 2012.
Vendimi për negocimin e shifrës së mësipërme me kompaninë që ka dhënë edhe ofertën më të mirë është marrë dje në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Miratimi i vlerësimit të ofertave për shitjen e të drejtës televizive dhe të publicitetit tregtar për ndeshjet e ekipit kombëtar “A” për eliminatoret e EURO 2012 ka qenë një nga pikat e diskutuara në këtë mbledhje nga ku në fund u vendos që federata të vazhdonte negociatat për plotësimin përfundimtar dhe të lidhjes së kontratës ofertuesit më të mirë, i cili rezulton të jetë Federata Franceze e Futbollit në bashkëpunim me kompaninë “Sports Global Management”. çmimi i kësaj oferte ishte 5.1 milion euro. Kujtojmë se kjo është hera e parë që federata jonë përfiton një shifër kaq të madhe për të drejtën TV. Për kualifikimet e Botërorit “Afrikë e Jugut 2010” kjo shifër nuk i kalonte 3.6 mln eurot (të ardhura këto të marra kryesisht nga Danimarka dhe Portugalia).
Ndërkohë kompania fituese “Sports Global Management” është me qendër në Paris, Francë dhe merret kryesisht me të Drejtat Televizive në futboll. Kjo kompani operon edhe si agjente futbollistësh dhe trajnerësh kryesisht në kampionatin francez. Në vitet e fundit kur në krye të UEFA-s u vu Mishel Paltini, “Sports Global Management” mori edhe disa portofole teknikësh dhe lojtarësh në kampionate të ndryshme në Evropës (Gjermani, Zvicër, Spanjë, Danimarkë) duke zgjeruar veprimtarinë e vet në fushën e përfaqësimit si agjente. Gjithsesi në thelb, kjo kompani i kushton më shumë vëmendje sponsorizimeve dhe të drejtës televizive, nga ku vijnë edhe të ardhurat më të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›