Albana Vokshi: Komision hetimor për pasurinë e fshehur të Edi Ramës

Deputetja e PD thekson gatishmërinë e mazhorancës, që në mungesë të bashkëpunimit të opozitës, të ngrihet edhe një komision i njëanshëm hetimor për pasuritë e padeklaruara, ku do të publikohet çdo aferë korruptive të Edi Ramës dhe e bashkëmëkatarëve të tij
Deputetja demokrate Albana Vokshi deklaroi dje se do i përmbahet premtimit dhënë publikut, për publikimin e çdo afere korruptive të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Krahas denoncimit të pak ditëve më parë, atë për gjobvënie ndaj çdo biznesi të ndërtimit, duke i kushtëzuar lëshimin e 20% të aksioneve të investimit, deputetja demokrate hodhi dritë për të tjera veprime të paligjshmë të kryebashkiakut, duke i bërë thirrje këtij të fundit, të pranojë ngritjen e një komisioni hetimor për çdo akuzë lidhur me pasuritë si dhe përballjen në një debat televiziv. “Jam këtu, për të garantuar edhe njëhere, se do t’ju faktoj shqiptarëve, të gjitha aferat korruptive të Edvin Kristaq Ramës dhe sekserëve të tij. Do ta bëj këtë, si një detyrim madhor për transparencë ndaj opinionit publik shqiptar. Zoti Rama, nëse nuk ke guxim, kurajo dhe burrëri, të ballafaqohemi në një debat televiziv me fakte dhe dokumente, atëherë urdhëroji deputetët e tu të firmosim bashkarisht iniciativën për një komision hetimor parlamentar, komision, i cili, të bëjë një hetim të hollësishëm të të gjitha pasurive të mija dhe të personit me të cilin bashkëjetoj, gjithashtu të pasurive të tua dhe personave me të cilët ke bashkëjetuar dhe po bashkëjeton”- u shpreh deputetja Albana Vokshi. Ajo shprehu zotimin e saj, se në mungesë të vullnetit nga kryetari i opozitës, atëherë PD është e gatshme të ngrejë një komision hetimor të njëanshëm. “E përsëris edhe njëherë! Në të kundërt do të më detyrosh të ndërmarr një iniciativë të njëanshme për krijimin e këtij komisioni hetimor parlamentar pa ju”- tha Vokshi. Deputetja demokrate, duke garantuar zbardhjen e të gjitha shkeljeve ligjore të Ramës, e garantoi këtë të fundit se s’do të dorëzohet përballë presioneve të tij. “Zoti Rama, mos u fshih pas sekserëve dhe bashkëmëkatarëve të tu bashkiakë, nxirre lepurin nga barku, dhe dil të faktosh akuzat. Presionet e tua Z. Rama, nëpërmjet bashkëmëkatarëve të tu, nuk do më bëjnë mua të hesht” - përfundoi deklaratën e saj për shtyp, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
...