E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për pasurinë - reagon publikisht kryeministri Sali Berisha

Domosdoshmëri, miratimi i ligjit për pasurinë e partnerëve


Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha reagon për herë të parë publikisht pas nisjes së akuzave të ndërsjellta mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me deklarimin e pasurisë. Nga kalaja e Petrelës gjatë komunikimit me gazetarët, shefi i ekzekutivit u shpreh se është i nevojshëm ndryshimi i ligjit për deklarimin e pasurisë. Sipas kryeministrit mënyra më e padrejtë për të luftuar korrupsionin është të përpiqesh ta bësh atë me deklarata politike të pabaza dhe se e vetmja mundësi për t’i dhënë rrugë hetimit është pikërisht bërja e ligjit ku të përfshihen edhe partnerët. Kryeministri foli edhe për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e ardhshme lokale. Berisha garantoi opozitën se është i gatshëm të pranojë çdo koncesion ligjor për kërkesat, ndërsa konsideroi si të rëndësishme hartimin e reformës elektorale, sipas propozimeve të palës kundërshtare.


Konferenca e kryeministrit Zoti Kryeministër, ju folët për Rrugën e Kombit, por kur do të hapet tuneli tjetër i saj? Tuneli tjetër duhet të hapet në shtator. Ky është një fat shumë i madh, megjithëse ne do të bënim gjithçka dhe kalimin do ta siguronim në nivele të tjera, por punimet e bëra kanë zero presion. Këto punime u projektuan ndoshta nga grupi më i suksesshëm dhe më i njohur në Europë, një grup austriako-gjerman dhe dhanë rezultat të shkëlqyer. është zhdukur tërësisht presioni. Po bëhet edhe tuneli i dyti dhe përfundon shpresojmë nga fundi shtatorit.


Zoti Kryeministër, cili është komenti juaj lidhur me akuzat e opozitës për afera korruptive, ku është përmendur edhe deputetja Vokshi dhe kur opozita deklaroi se do të publikojë edhe të tjera? Midis deklaratës politike dhe faktit të provuar ndryshimi është ashtu siç është ai midis natës dhe ditës. Mënyra më fatkeqe për të luftuar korrupsionin është të përpiqesh ta bësh atë me deklarata politike pa baza. Sidoqoftë, ajo që dua të them në këtë debat është se një ligj për partnerët është i domosdoshëm. Bashkëjetesa është një fenomen shumë i përhapur në Europë dhe që po përhapet edhe në Shqipëri, një fenomen absolutisht i pandalshëm ky, që duhet respektuar. Ka probleme civile si fenomen, ka njëfarë rregullimi në ligj për fëmijët, por çështja e bashkëjetesës kërkon një rregullim ligjor tërësor. Në këtë kontekst, ajo që unë vlerësoj është dëshira e deputetëve, shpresoj të të gjithë spektrit, për të bërë ligjin, në të cilin të përfshihen edhe partnerët, duke marrë modele. Një dallim midis personave që vënë kurorë dhe atyre nuk vënë ekziston, ndaj të përfshihet shkalla e angazhimit për partnerin, që mund të jetë burri apo gruaja që bashkëjeton dhe kjo jep i gjithë zgjidhjen lidhore çdo problemi. Unë mendoj se ky ligj mund të jetë i vonuar. Para se të bënin ligjin për pakicat e ndryshme dhe bëmë shumë mirë, ne duhet të kishim bërë edhe ligjin për bashkëjetuesit. Diçka për fëmijët është bërë në Kodin e Familjes, por që duhet të plotësohet me të gjitha aspektet. Ajo çka unë konstatoj është së shumica është e gatshme dhe shpresoj që edhe pakica ta pranojë. Debatet pastaj janë të mbyllura. Secili sheh pasurinë, origjinën e saj e me radhë.


Deputetja Gjermeni deklaroi dje se PS-ja nuk do të bëhet pjesë e reformës pa transparencën e zgjedhjeve, ndërkohë që partitë e vogla, aleatet tuaj, kërkojnë reformë zgjedhore? Një dialog midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ekziston. Janë bërë disa propozime. Sapo të mbyllen pushimet, ne do t’i dorëzojmë. Ne i kemi studiuar propozimet dhe në propozimet e tyre ka absolutisht elementë racionalë, për të cilët ne jemi plotësisht të gatshëm. Për të tjerat, mendoj nëpërmjet mirëkuptimit bilateral, sepse një kompromis arrihet jo mbi baza ultimative, por mbi baza koncesionesh reciproke dhe në qoftë se ekziston vullneti nga PS-ja, Kushtetuta dhe ligjet e vendit i japin zgjidhje të plotë problemit, në përputhje me rezolutën e Parlamentit Europian. Partitë e vogla, edhe ato kanë zërin e tyre. Unë, personalisht, kam qenë dhe jam gjithnjë i gatshëm t’i dëgjoj. Uroj që ky vullnet të jetë edhe tek zoti Rama. Siç faktojnë rezultatet e zgjedhjeve, është në mençurinë e forcave të mëdha që të krijojnë hapësirë edhe për forcat e vogla. Gjithnjë ka pasur një rivalitet midis sistemit mazhoritar dhe atij proporcional. E vërteta është se universalisht po fiton gjithnjë e më shumë terren sistemi proporcional.


A do të ketë vend për pazare në këtë marrëveshje, pasi përflitet se PS-ja ka kërkuar disa pazare si p.sh bashkinë e Tiranës? Pazare për ndarje pushteti në mënyrë kategorike, absolutisht, nuk bëhen jashtë vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Kjo është jashtë çdo lloj konteksti. Por dua të theksoj se nuk ka asnjë propozim të tillë nga PS-ja, që ne t’i lëshojmë bashkinë e Tiranës. I druhem shumë se e gjithë kjo bëhet për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por uroj që zoti Rama të gjejë të gjithë kurajën për të kandiduar dhe e garantoj se do ketë përballë një kandidat të fortë.


Pas shpalljes në shtator nga presidenti të datës së zgjedhjeve lokale, a do të digjen fletët e votimit, do jetë një vendim politik apo do t’i mbetet KQZ-së ky vendim? Dua të theksoj se një nga kriteret themelore të Kopenhagenit është respekti i plotë i institucioneve. Asnjë marrëveshje nuk qëndron në standardin europian, në qoftë se ajo shpërfill institucionet. Por, nga ana tjetër, theksoj se Kushtetuta, ligjet e vendit, procedurat ligjore të tij lejojnë transparencën e plotë. Ato kërkojnë vetëm që të ndiqen. Ju keni dëgjuar shumë herë PS-në të thotë se duan numërimin, por se nuk kërkojnë ndryshimin e rezultatit. Dhe përgjigja ime ka qenë se, në qofte se respektohen procedurat ligjore dhe këto procedura vendosin që të rinumërohen, absolutisht, jam për rinumërimin e plotë të çdo vote dhe të ndryshimit të çdo rezultati. Po ju bëj një konfesion. Të njëjtën gjë kam thënë në tryezën e famshme të Krokodilit. Ndonëse Rini nuk ka krokodilë të paktën 3 mijë vitet e fundit, restoranti aty quhet Krokodil dhe është restorant me histori, ndaj mos mendoni se u zgjodh rastësisht. Edhe atje kam thënë se nuk kam asnjë kundërshtim, përkundrazi, në qoftë se procedurat, institucionet vendosin për këtë, të rinumërojmë çdo votë, të ndryshojmë çdo rezultat, të bëhemi të vërtetë, se unë mund të pranoj kurrsesi të trembem nga e vërteta. Absolutisht jo. Edhe sikur ta di se do të humbas tre apo do të fitoj tre, është e njëjtë për mua, në radhë të parë, dua të jem i vërtetë. Por të thuash se do të numëroj votat, por, pavarësisht si do të dalë rezultati, nuk do ta ndryshoj atë, kjo nuk është serioze. Serioze është të vendosin institucionet dhe t’i respektojmë plotësisht, pa asnjë kompleks. Por ka një vendim gjykate, i cili ka mekanizmin vetëm gjyqësor dhe jo politik. Po të mos ishte kjo, absolutisht, ato vota do të ishin numëruar dhjetë herë.


Presidenti ktheu së fundi ligjin e pronave, si do të veproni ju si mazhorancë? Së pari, Kushtetuta e vendit i njeh të drejtën e plotë Presidentit të vendit të rikthejë në parlament ato ligje, të cilat ai i gjykon se duhet të rishihen, të mos firmosë ato ligje që nuk dëshiron t’i firmosë. Kemi një ushtrim të të drejtave kushtetuese të Presidentit dhe kjo është krejtësisht normale.


Në shtator do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si do të zgjidhet përfaqësimi i Shqipërisë? Po të hyni në arkiv do të gjeni edhe raste të tjera në Shqipëri dhe në botë kur kanë shkuar edhe Kryeministri, edhe Presidenti. Por ky vit është i veçantë dhe është i tillë, sepse aty kemi të bëjmë me një samit dhe ne do të shfrytëzojmë me të gjithë forcën mundësitë për të lobuar për Kosovën. Nuk shkoj për asnjë qëllim tjetër. Aty, vendi mund të përfaqësohej edhe me ministrin e Jashtëm, mund të shkojë Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm. Kësaj radhe, ne kemi nevojë të dialogojmë me sa më shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Natyrisht, këtë përpjekje po e kryesojnë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e quint-it, Bashkimi Europian, por edhe ne bëjmë pjesën tonë. Dhe këtu nuk ka asnjë problem. Në asnjë rast Presidenti nuk i merr leje Kryeministrit për të udhëtuar, është institucion i pavarur, sikundër edhe Kryeministri. Këtë radhë po shkojmë për këtë që sapo thashë. Unë nuk jam i dhënë pas udhëtimeve të gjata, më pëlqejnë më shumë udhëtimet brenda vendit dhe siç e dini, udhëtimet e mia jashtë në më të shumtën e rasteve kryhen brenda ditës, falë linjave të cilat nisen herët në mëngjes dhe kthehen në darkë vonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›