“Albania Airlines”, avioni jep defekt në ajër
Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Një tjetër skandal me kompaninë e fluturimeve “Albania Airlines” ka ndodhur mesditën e djeshme. Avioni i linjës Tiranë -Torino ka bërë ulje të detyruar 70 minuta pas ngritjes.
Ulja është bërë pas 70 minutash, pasi avioni ka konsumuar të gjithë karburantin. Lajmi konfirmohet nga policia e Tiranës, sipas së cilës, ulja e detyruar ka ardhur si pasojë e një defekti. Pilotët e kanë konstatuar defektin 30 minuta pas nisjes, ndërkohë që sipas burimeve të policisë, avioni ka qëndruar edhe 40 minuta të tjera në ajër, procedurë kjo që duhej për të konsumuar lëndën djegëse. Në avionin që do të udhëtonte drejt Torinos udhëtonin rreth 100 pasagjerë të cilët deklarojnë se janë nisur 2 orë me vonesë nga orari zyrtar 13:55. Pasi kanë fluturuar për 70 minuta ata janë detyruar të kthehen në Rinas ku ndodhen deri në këto momente, në pritje për tu nisur drejt Torinos. Pasagjerët kërkojnë të udhëtojnë me një avion tjetër, ose të kompensohen. Mësohet se ulja e avionit është bërë pa asnjë problem, ndërsa vetë kompania “Albania Airlines” nuk ka bërë ende asnjë prononcim. Në lidhje me incidentit e dytë brenda javës, të kësaj kompanie, ende nuk ka një prononcim zyrtar dhe një qëndrim nga Autoritetet Shqiptare të Aviacionit Civil. Ndërkohë që për rastin e parë tashmë ka nisur hetimi dhe dosja i është dërguar dhe autoriteteve të KE-së, që merrem me sigurinë e fluturimeve. Autoritetet Shqiptare të Aviacionit Civil kanë nisur një investigim për të mësuar shkaqet që çuan devijimin e avionit, i cili u nis pasditen e të dielës nga aeroporti i “Nënë Tereza” në Tiranë, për të fluturuar drejt Bolonjës, por ndryshoi rrugën duke u ulur në aeroportin e Bratislavës.
Dëshmitë e pasagjerëve
Në një komunikim telefonik, pasagjerët e avionit që do të udhëtonte drejt Torinos, deklarojnë se ndodhen në zonën e transitit në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që nuk kanë asnjë informacion se kur do të rinisin udhëtimin. Pasagjeri pohon se iu është konfirmuar nga stafi i avionit se ulja e detyruar është bërë si pasojë e një defekti, ndërsa nënvizon se do të rishikohet mundësia e riparimit të defektit. “Duhet të niseshim në 13:55 por u vonuam 2 orë, për rreth gjysmë ore udhëtuam në ajër dhe më pas na u tha se avioni ka defekt dhe duhet të kthehemi në Rinas. Na u tha se shpresojmë të rregullohet, gjithçka dhe të rinisemi” – thekson njëri prej pasagjerëve. Mësohet se në zonën e tranzitit, mes 100 pasagjerëve ndodhen edhe gra, fëmijë e të moshuar. Pasagjerët janë ankuar se sapo ishin ngritur në fluturim ekuipazhi i lajmëroi se duhej bërë një ulje e detyruar për shkak të furnizimit me karburant. Drejtoria e Aviacionit civil në Tiranë tha se avioni është rikthyer në pistë për shkak të një defekti teknik. Kompania ka thënë se pilotët e konstatuan defektin në kohë ndërsa pasagjerët do të nisen për Torino me avionin e radhës.
Incidenti i parë
Ditën e diel, një tjetër avion i linjës “Albania Airlines” ndryshoi destinacionin e tij nga Bolonja drejt Bratislavës, duke mbajtur peng rreth 110 pasagjerë me pretekstin se pilotët nuk kishin marrë rrogat. Kjo çështje po hetohet nga autoritetet sllovake, ndërsa pasagjerët arritën në destinacion një ditë me vonesë. Për një tjetër arsye të tjerë pasagjerë shqiptarë po përjetojnë të njëjtën histori.
Standardet
Raporti i KE-së,
që ndaloi fluturimin
Kompania Albanian Airlines në një raport të mëparshëm të Komisionit Evropian kishte marrë vërejtje për gjendjen në të cilën ndodheshin avionët e përdorur për fluturim nga kjo kompani. Përfaqësues të KE-së, pasi kanë parë gjendjen teknike të avionëve të kësaj kompanie, kanë dalë në përfundimin se disa prej tyre duhet të ndalonin fluturimin për tiu nënshtruar një remonti të përgjithshëm, pasi nuk plotësonin standardet. Për këtë arsye, KE ka vënë në dijeni edhe Drejtorinë shqiptare të Aviacionit Civil. Por, edhe pas këtyre konstatimeve këta avionë të Albanian Airlines kanë fluturuar, pa pasur as edhe një pengesë.
Vendimi
“Air France”, çmim
dyfish për të shëndoshët
Në fillim u konsiderua si një propozim i çmendur nga kompania “Ryanair”, por tashme duket se të gjitha kompanitë do të fillojnë të aplikojnë çmim më të lartë për njerëzit obezë që zënë më shumë se një sedilje në avion. Kompania franceze “Air France” deklaron se për motive sigurie, personat obezë që do të zënë dhe një stol tjetër, do të paguajnë 75 për qind të shumë për pjesën e zënë. Aplikimi i këtij vendimi do të nisë në muajin prill. Lajmin e bën të ditur për AFP, zëdhënësja e shoqërisë Monique Matze. “Duhet të sigurohemi që sediljet të lëvizin lirisht për të gjithë pasagjerët të cilët duhet të jenë të lidhur me rripin e sigurimit”, thekson ajo. Duke paguar pothuajse sa për dy sedilje, pasagjeri do të jetë i sigurt pasi mund ti përdorë të dyja. “Gjithsesi, këta pasagjerë do të rimbursohen nëse avioni nuk do të jetë plot”, shton zëdhënësja.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010