E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Strasburgut pranon shqyrtimin e “Gërdecit”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Gjykata e Strasburgut konfirmoi dje zyrtarisht se ka pranuar të marrë nën shqyrtim kërkesën e familjarëve të viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec dhe do të jetë palë në procesin me 29 të pandehur që po zhvillohet në Shqipëri.
Në përgjigjen që kjo gjykatë i ka kthyer kallëzueses, Zamira Durda, nëna e Edison Durdës, fëmija që humbi jetën në këtë shpërthim sqarohet se sekretariati i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka marrë letrën e datës 9 nëntor 2009, ku shpjegohet edhe qëllimi i drejtuar asaj gjykate. Durda vihej në dijeni në përgjigjen zyrtare se dosja e saj mban numrin 63543, ndërsa i është lënë një afat disa ditor për të përgatitur dosjen e tyre ku parashtrohen provat dhe pretendimet ligjore. Familjarët e viktimave të Gërdecit në nëntor të vitit të kaluar iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut duke ankimuar vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e tyre për tu bërë palë në procesin gjyqësor penal.
Mbrojtësit ligjorë
Mbrojtësit ligjorë të 26 familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit ju drejtuan vetëm pak kohë më parë Gjykatës së Strasburgut për të ankimuar vendimet e Kolegjeve Penale të Gjykatës së Lartë, ku bie në sy pushimi i çështjes penale ndaj Fatmir Mediut, ish-ministrit të Mbrojtjes, aktualisht i Mjedisit, ndarja e gjykimit me pjesën tjetër të të pandehurve moslegjitimimi i tyre si palë në proces etj. Ky i fundit në këtë çështje ishte i akuzuar për "shpërdorim detyre" në rastin e demontimit të municioneve në punishten e Gërdecit e ngritur nga "Albademil". Sipas tyre, vendimi kanë qenë i parregullt dhe i pa bazuar në ligj.
Qëndrimi i familjarëve
Sipas avokates Blerta Kraja, mbrojtja e familjarëve të viktimave në ankesën që i drejtohet Gjykatës së Strasburgut parashtron parregullsitë ligjore të vendimeve të Gjykatës së Lartë në lidhje me dosjen "Gërdeci". Ndër to janë mos legjitimimi i tyre në procesin përkatës, ndarja e çështjes dhe dërgimi i disa të pandehurve në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe vendimi i fundit i pak kohëve më parë, ai i pushimit të procesit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit të PR-së Fatmir Mediu. Sipas avokatëve, gjithashtu i është kërkuar Gjykatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të shprehet edhe për pezullimin e proceseve civile në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, në lidhje me paditë e familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit. Një vendim i tillë është marrë nga Gjykata e Tiranës deri në përfundim të proceseve penale që lidhen me shpërthimin e Gërdecit. Në tragjedinë e Gërdecit humbën jetën 26 vetë, rreth 300 të tjerë mbetën të plagosur në shkallë të ndryshme si dhe u shënuan dëme në vlerë rreth 18 milionë euro.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›