Basha-Horst Holanda: Mbështetje për heqjen e vizave
Autori i Lajmit: Redaksia
Ministrja e Brendshme holandeze, Gusje Ter Horst, ka deklaruar se shteti i saj do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Në një takim me homologun shqiptar, Lulzim Basha, ministrja Ter Horst ka vlerësuar rezultatet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave. Horst tha se lufta kundër krimit e ka bërë Shqipërinë një vend më të sigurt. Ne takim, ministri Basha ka informuar homologen holandeze për ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar, si dhe me rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Mbështetja
“Holanda do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë”, - ka deklaruar ministrja e Brendshme e Holandës, Guusje Ter Horst, dhe sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, Joris Demmink, gjatë një takimi që zhvilluan në Hagë me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. Gjatë takimit me homologen Ter Horst, ministri Basha informoi mbi ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal si dhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Holandës, Joris Demmink, pas takimit me ministrin Basha, deklaroi se Shqipëria është edhe më e përparuar se shumë shtete anëtare të BE në lidhje me aspektet teknike të dokumenteve të identitetit dhe sigurisë së kufijve. “Kontrolli i kufijve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, për sa i përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera. Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim idenë që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur”, - u shpreh Demmink. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, siguroi gjatë këtyre takimeve se ashtu si misioni i mëparshëm në dhjetor 2009, edhe dy misionet e tjera që do të mbërrijnë nga Komisioni Evropian në shkurt 2010, do të konstatojnë përmbushjen e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE.
“Takimet dhe informimi i vazhdueshëm i partnerëve tanë të vendeve anëtare shërbejnë që të mos kemi asnjë pengesë dhe menjëherë pas vlerësimit të Komisionit Evropian për të cilin kam të gjitha arsyet për të qenë optimist, vendet anëtare, që janë vendimmarrësit, të mos vonojnë aspak dhe të marrin vendimin e shumëpritur nga shqiptarët”, - deklaroi për mediat pas takimeve ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak, sot në Tiranë
Mbërrin sot për një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë, ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak. Në orën 13:30 ai do ketë një takim kokë me kokë me homologun Meta, me të cilin do të nënshkruajë një sërë marrëveshjesh. Më pas të dy ministrat do të mbajnë një konferencë për shtyp. Ministri i Jashtëm sllovak do të zhvillojë takime edhe me kreun e qeverisë, Berisha, dhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në ditën e dytë të qëndrimit në vendin tonë, Lajçak do të zhvillojë një takim edhe me Kreun e Shtetit, Bamir Topi, si dhe do të vizitojë ambasadën sllovake në vendin tonë.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010