Bregu: “Pyetësori, na mbeten dhe 13 kapituj”
Autori i Lajmit: Redaksia
Ministrja e Integrimit ka raportuar dje në Këshillin e Ministrave ecurinë e procesit të përgjigjeve të pyetësorit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë. Bregu, pasi falënderoi
administratën për seriozitetin dhe përkushtimin e treguar për të respektuar kalendarin e përcaktuar në plotësim të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, bëri me dije se janë zhvilluar gjithsej 135 mbledhje apo takime të grupeve ndërinstitucionale të punës; ka përfunduar dhe është raportuar përfundimi i 22 kapitujve, ndërsa 13 të tjerë janë në proces të përfundimit. Ministrja Bregu theksoi se ky është drafti i parë i përgjigjeve, të cilat do të rishikohen, do të rilexohen dhe rivlerësohen edhe në formatin e Komitetit Ndërministror të Integrimit e më pas në Komitetin Koordinues Ndërinstitucional të Integrimit. Në këtë fazë, ministrja ka bërë me dije se do të përfshihen jo vetëm ekspertë shqiptarë, por edhe të huaj. Ministrja Bregu theksoi se për sa i përket përkthimit, në bazë të depozitimit dhe të miratimit të kapitujve, ka nisur edhe puna për përkthimin e kapitujve të parë. Ndërsa portali është tashmë tërësisht funksional dhe të gjitha pyetjet janë regjistruar nga AKSHI. Ndërsa kryeministri Sali Berisha e cilëson këtë proces si objektivin dhe përgjegjësinë më të madhe të qeverisë. Duke e cilësuar pyetësorin e Komisionit Evropian dhe përgjigjet ndaj tij si çështjen, objektivin dhe përgjegjësinë më të madhe të qeverisë, kryeministri Berisha i bëri me dije Këshillit të Ministrave se në çdo mbledhje do të jetë në rend dite edhe raportimi nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, mbi ecurinë e punës së bërë, për realizimin me sukses e sipas kalendarit të përcaktuar të këtij procesi. “Është një nder i madh, që ne sollëm vendin në këtë fazë përcaktuese në procesin e integrimit. Është një vlerësimi i jashtëzakonshëm që reformat bënë të mundur vendimin historik të 16 nëntorit, por është dhe përgjegjësi e shkallës më të lartë ti japim përgjigjet më të sakta, më të qarta atyre mijëra pyetjeve, me të cilat bëhet një transparencë e plotë, e potencialeve reale të këtij vendi”, - ka theksuar Kryeministri. Një muaj pasi 27 vendet e familjes së madhe evropiane morën vendim për të marrë në shqyrtim kërkesën, e dorëzuar nga Shqipëria më 28 prill të 2009, ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan i dorëzoi sot qeverisë shqiptare pyetësorin e KE-së. Pyetësori i përbërë nga 2280 pyetje në 384 faqe iu dorëzua kryeministrit shqiptar pak para mesditës së sotme. “Është një tregues i seriozitetit që KE po përpiqet të kuptojë në mënyrë gjithëpërfshirëse, për përgatitjen e Shqipërisë”, - theksoi Lohan në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë. Nga ana e tij Berisha tha se pyetësori ishte “një kartolinë historike për të gjithë shqiptarët”.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010