“Albania” e Faik Konicës në një bibliografi historike
U bë një nga dëshmitaret e para të kohës së vet dhe afroi pranë vetes emra të njohur të letrave. Në 111 vjetorin e revistës “Albania”, botohet bibliografia e plotë e saj. Pas sprovës me “Hyllin e Dritës”, studiuesi Willy Kamsi nxjerr një tjetër përmbledhje bibliografike, këtë herë të revistës “Albania”, të themeluar nga mendimtari Faik Konica, qysh prej numrit të saj të parë që doli në vitin 1897 në Bruksel. Qëllimi i autorit është të nxjerrë në pah gjithë atë pasuri të pallogaritshme dhe të panjohur shkrimesh, studimesh e materialesh që gjetën vend në faqet e kësaj reviste. “Bibliografia që po paraqesim nuk duhet mendue vetëm si element informues, por kryesisht, sipas shestimit tonë, përmban një kontribut për me njoftu traditën në fushën e studimeve albanologjike e të kulturës në përgjithësi”, thotë Kamsi. Me këtë punë tentohet të vihet deri diku në vend dëmi i madh që ka bërë diktatura komuniste, duke shkatërruar arkiva të tëra, apo duke u vënë vulën “të ndaluara”. Në bibliografinë që mban “vulën” e botimeve Françeskane, ofrohet pasqyra e plotë e gjithë veprimtarisë së revistës, me gjithë artikujt dhe autorët që shkruan në të. “Albania” është revista e parë, që pa dritën e botimit jashtë Shqipërisë. Ajo nisi botimin në nëntor të vitit 1896, për të dalë disa muaj më vonë në vitin 1897. Botimi i saj vijoi deri në vitin 1902, kohë kur Konica u vendos në Londër. Botimi vijoi edhe atje, deri në vitin 1907. Pushoi një vit, për t’u kthyer sërish, por me vetëm një numër. Edhe pse një histori me luhatje, hapje-mbylljesh, kjo revistë, arriti të bëhet një faktor i rëndësishëm në kohën e vet dhe mblodhi rreth saj pena si Luigj Gurakuqi, At Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Ndoc Nikaj, etj. Në faqet e saj zuri vend më së shumti çështja e gjuhës shqipe, duke u kthyer në një referendum mbi formimin e një gjuhe të njehsuar letrare. U botuan studime për alfabetin, morfologjinë, terminologjinë. Një vend të rëndësishëm zuri historia, ku synohej nxjerrja në dritë e burimeve të reja historike, dokumenteve që botoheshin për herë të parë. Iu la vend folklorit, por edhe poetëve të Rilindjes, që shërbenin për të frymëzuar çështjen kombëtare, madje u përkthyen në gjuhë të huaj edhe vepra të këtyre të fundit. Për një kohë të shkurtër revista u botua dhe në gjuhën frënge e turke, duke u bërë një pikë kontakti mes Shqipërisë dhe botës. al.mi