E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, në 10 vendet turistike, që u propozohen amerikanëve

 

ALMA MILE

Amerikanëve u serviret si një nga vendet ideale për njerëzit, që duan aventurën dhe që brenda një kohe të shkurtër dëshirojnë të shijojnë të gjitha mrekullitë e natyrës. E jo vetëm kaq. Aty mund të gjejnë historinë, teksa flet përmes rrënojave të antikitetit e kështjellave mesjetare. Gazeta e njohur amerikane “USATODAY” u rekomandon 3.6 milionë lexuesve të saj Shqipërinë si një nga 10 destinacionet më interesante për t’u zbuluar në vitin 2009. Ky artikull në prestigjiozen amerikane vjen si rezultat i përfshirjes së Shqipërisë në katalogun e një prej kompanive më të njohura të turizmit kulturor amerikan “Mountain Travel Sobek”, e cila që në vitin 1969 është në pararojën e kompanive amerikane të turizmit elitar. “USATODAY” rekomandon një listë prej 10 destinacionesh, që gjeografikisht vendosen anë e kënd botës. Pasi propozon një ndër këndet e pakta që mund të konsiderohet e “egër” në Skoci, pasi rekomandon ishujt Filipine, Kolumbinë, Afrikën Perëndimore, Tailandën, kanionet meksikane, një aventurë në Alaskë në Kenai Fjords National Park, një vizitë tigrave në Indi, të rekomandohet një eksplorim në Ballkanin e vjetër dhe pikërisht në Shqipëri.
“Turizmi më këtë kënd të Mesdheut është ende në “foshnjërinë” e tij”, thotë një nga themeluesit e kompanisë së udhëtimeve, John Yost, i cili drejton udhëtimin gjithashtu. “Kthimi i tij nga një gem i ashpër në një brilant të shkëlqyer dhe fin është i pakthyeshëm. Dua të jem atje, përpara se të ndodhë, për të qenë avant guarde në udhëtimet aventurore”. Sipas rekomanduesve ky “është rasti më i mirë për të gjithë ata që duan të vizitojë rrënoja antike, kisha, xhami, apo fshatra të izoluar nga malet, ku jeta duket si e ngrirë”. Itinerari i udhëtimit kalon kryesisht në qendra të trashëgimisë kulturore, si Butrinti, Gjirokastra, apo Antigonea. “Sapo arrin në Sarandë me traget nga ishulli grek i Korfuzit, vendqëndrimi i parë është Parku Kombëtar i Butrintit, që mbron një qytet antik, që daton shek. IV para Krishtit. Aty mund të vizitosh gërmimet arkeologjike, që tregojnë çka mbetur nga qytetërimet që kanë kaluar aty pari, romak, apo bizantin. Më tej, në qytetin e Gjirokastrës, që ngrihet 1000 metra mbi nivelin e detit mes malit të Gjerë dhe Lumit Drinos, mund të vizitosh një kështjellë otomane, apo një manastir sufi të shek. XVII që ende funksionon”, shkruhet në “USATODAY”. Si pikë referimi është sërish udhëtimi mitik i poetit anglez, Lord Bajronit. Një tjetër qendër që bën pjesë në guidën turistike është Antigonea, ku mendohet të jetë zhvilluar edhe një betejë mes Filipit të Maqedonisë dhe ushtrive romake. Më tej rrugëtimi vijon në kishat bizantine, por dhe në të tjera vende gjatë rrugës, fshatra e qytete për t’u njohur më mirë me vendin dhe njerëzit.  Sipas drejtoreshës së “Mountain Travel Sobek” Anne Wood, tashmë Shqipëria është një destinacion në “modë”. “Udhëtimi në Shqipëri, që kompania jonë e ofron për herë të parë, është rezultat i nxitjes që z. Auron Tare na dha përmes leksioneve të dhëna në një tur në universitetet amerikane, mbi trashëgiminë kulturore shqiptare dhe zhvillimin e turizmit në vendin e tij”, thotë ajo. Ndërmend i erdhi sërish motoja, të cilën kompania që ajo drejton e ka ndjekur gjatë 30 viteve. “Kompania jonë vazhdon eksperimentet në zbulim të vendeve të reja, kulturave ekzotike, faunës së egër dhe larg mureve rrethuese e rrugëve automobilistike. “U dashurova me Evropën Lindore dhe ish-Jugosllavinë disa vite më parë gjatë një udhëtimi të ndërmarrë nga USAID. U emocionova kur gjeta një Evropë ndryshe nga çdo vend tjetër i këtij kontinenti, ku kisha qenë më parë”.  Sipas saj, kjo ndoshta vinte edhe për shkak të një të tashmeje të ndikuar shumë nga historia e lashtë e Ballkanit.  “Dhe çfarë diversiteti! Në një hapësirë aq të vogël, njeriu mund ta gjejë veten në majë të malit, duke vështruar kaltërsinë e liqeneve, duke shijuar aromën e pishave të zeza dhe pyjeve halore dhe të nesërmen prehesh nën diellin e ngrohtë buzë detit Adriatik. Nga vreshtat tek Alpet, nga ishujt e shkretë tek qytetet e zhurmshme. Ka kaq shumë gjëra për të parë dhe të eksploruar në këtë pjesë të botës”, thotë ajo, ndërsa shton se sa pak njihet kjo mrekulli nga turistët amerikano-veriorë. Sipas saj tashmë Evropa Lindore është një nga destinacionet më të kërkuara. Vendi i radhës është Shqipëria me historinë e pasur, brigjet e bukura, qendrat e mrekullueshme arkeologjike dhe malet me pamje dramatike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›