“Vajza me sy smeraldi”kthen në skenë Ilir Kerrnin
Alma Mile
Edhe pse herën e fundit që ishte në Tiranë u fol shumë se me “Zanën” (“La syplhide”) do të mbyllte karrierën e tij si balerin, Ilir Kerrni, duket se nuk mund të ndahet aq lehtë nga skena. Do të ngjitet sërish në skenën e Tiranë, me një tjetër rol, në një tjetër pjesë me koreografi të tijën. Nga data 22 deri në 26 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të shfaqet baleti “Kopelia”, apo “Vajza me sy smeraldi”. Një balet
me 2 akte dhe 3 skena me libret nga Charles Nüitter dhe Arthur Saint-Léon dhe muzikë të Léo Delibes. Kjo vepër vjen si një bashkëpunim me Teatrin e Zagrebit, ku Ilir Kerrni luan prej vitesh. Kështu skenografia mban firmën e Zorz Drausnik, ndërsa kostumografia të Ljubica Wagner. Nën koreografinë e Kerrnit do të interpretojnë solistët e trupës së Baletit dhe Orkestra Simfonike e TKOB-it, në drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja. Krahas Kerrnit interpretojnë në krah të tij Enada Hoxha, Eno Birko, Gerd Vaso, Esdalin Gorani, Erisa Gina, Odeta Dishnica, Manjola Hasani, Eva Seraj, etj.
“Kopelia” është një vepër me nota komike, ku ritmet e gëzueshme të valleve popullore përzihen me muzikën klasike, por që përçoi një fat tragjik tek krijuesit dhe interpretuesit e saj. Dy vdekje e shoqëruan atë në një kohë të shkurtër. Historia e “Kopelias” është marrë nga tregimi, “Der Sandmann”, i Hoffmann (1776 - 1822), shkrimtar romantik dhe kompozitor gjerman. Në këtë histori janë të lidhur konflikti mes idealizimit dhe realizmit, artit dhe jetës: Franz është joshur të zgjedhë mes gruas perfekte, kukullës Kopelia dhe gruas natyrale Svanilda. Muzika piktoreske dhe e frymëzuar, e kompozitorit Léo Delibes (1836 - 1891), student i Adolphe Adam, kompozitori i baletit “Zhizel”. Ai nis aty ku Adami e pat lënë, shtrin kërkimet e tij me tema që shprehin dhe identifikojnë ndjenja dhe personalitet; çdo personazh ka një ose më shumë tema që e karakterizojnë. Çardash, një valle hungareze, dhe mazurka, një valle polake, popullore si valle në ‘800-ën, u përfshinë për herë të parë në këtë balet. Nga ajo kohë pjesë të valleve popullore u bënë karakteristike për baletin klasik. “Kopelia” u ngjit në skenë për herë të parë në Operën e Parisit në 25 maj 1870. Baleti pati një sukses të jashtëzakonshëm, por që u ndërpre nga lufta franko–prusiane dhe rrethimi i Parisit në 1871 gjatë të cilit protagonistja kryesore vdiq nga lija në ditën e shtatëmbëdhjetë vjetorit të saj. Ndërsa Saint-Léon vdiq tre muaj pas prezantimit të parë të kësaj kryevepre. Baleti “Copelia” është edhe sot në repertorin e Operës së Parisit dhe ruan një besnikëri vërtet mahnitëse ndaj versionit origjinal.