E Diel, 1 Nëntor 2026

"Albanian Chrome" nis investimin në minierën e Bulqizës

Kompania "Albanian Chrome ACR", e cila menaxhon minierën e Bulqizës, rezerva më e madhe e kromit në vend, ka nisur prej fillimit të muajit shtator punimet për thellimin e pusit nr. 7, për t‘ia zgjatur jetën minierës me të paktën 20 vite.

Drejtori i minierës së Bulqizës, z. Petrit Duva, thotë se "Albanian Chrome" ka nënshkruar kontratat e zbatimit për punimet që do të thellojnë me 600 metra të tjerë pusin nr. 7, falë një investimi që arrin në total mbi 20 milionë dollarë.

"Shpimet që po realizohen me pajisje tepër të avancuara teknologjike do të na japin mundësinë t‘ia zgjasim jetën minierës me të paktën 20 vite. Ne po arrijmë një rezervë kromi prej 1.8 milionë tonë, e cila u zbulua falë impenjimit tonë profesional. Punimet për thellimin e pusit nr. 7 do të zgjasin afro 4 vjet, por ne kemi besim se qysh brenda vitit të dytë do të jemi dëshmitarë të përmirësimeve të treguesve gjeologjikë dhe atyre të prodhimit", shpjegon drejtori i minierës së Bulqizës, ku aktualisht prodhohen afro 7000 tonë në muaj koncentrat kromi i një cilësie të lartë. Investimet pritet ta rrisin prodhimin së afërmi me 150000 tonë në vit. Prej dy vitesh, "Albanian Chrome ACR" zbaton në Shqipëri një kontratë koncesionare, e cila përfshin rezervën e kromit në Bulqizë, dy uzina ferrokromi në Elbasan dhe Burrel, një fabrikë pasurimi në Klos dhe disa njësi të tjera industriale. "Albanian Chrome" ka më se 860 punëtorë në Bulqizë dhe gjithsej mban në punë mbi 1000 punonjës. Punëtorët shprehen të kënaqur me ndryshimet e kryera në minierë prej kompanisë austriake DCM DECO metal - pronarja e re e koncesionit, e cila e mori minierën në kushte të mjerueshme dy vjet më parë nga DARFO Albania shpk. "Pavarësisht krizës ekonomike globale, ‘Albanian Chrome ACR‘ ka investuar deri më tani mbi 12 milionë euro për të ringjallur uzinat e saj të prodhimit të ferrokromit dhe për të rinovuar thellë teknologjinë e shfrytëzimit të minierës", shpjegon drejtori i përgjithshëm, Elton Beqi, i cili shton se firma me mbi 1000 punonjës nuk ka larguar nga puna asnjë punëtor. "Ne madje kemi shtuar forcë punëtore në momente tejet të vështira të tregut, për të dëshmuar se jemi seriozë në angazhimin tonë", shpjegon Beqi. Miniera është pasuruar me shumë mjete pune, që në total e kalojnë vlerën e 4.5 milionë dollarëve.

"Pronarët e rinj kanë treguar seriozitet dhe kanë investuar realisht në minierë", thotë Dilaver Përkoxhaj, kryesues i Sindikatës së Punëtorëve të Minierës. "Shumica e kërkesave tona janë plotësuar dhe në përgjithësi gjërat kanë hyrë në rrugë të mbarë", pohon Përkoxhaj. Rroga mesatare e një punëtori në minierë është 44000 lekë të reja, ndërsa një numër i konsiderueshëm minatorësh paguhen 100-130 mijë lekë të reja në muaj. Punëtorët sot kanë veshje pune, ushqim të ngrohtë, kujdes shëndetësor, ndërsa së afërmi një seri mjedisesh shërbimi do ta rrisin ndjeshëm cilësinë e kushteve. Siguria në punë ka gëzuar ndërkohë një vëmendje të veçantë dhe firma mbetet e vendosur ta rrisë disiplinën në këtë drejtim. Me marrjen e koncesionit nga "Albanian Chrome ACR" rrogat e punëtorëve u dyfishuan dhe kontratat e punës - kolektive dhe individuale, u lidhën. Me përgjegjësi të lartë, "Albanian Chrome ACR" ka investuar në disa nisma të përgjegjësisë sociale në qytetin e Bulqizës, duke përfshirë rinovimin e pavijonit të patologjisë në spitalin e qytetit.

Në Elbasan, "Albanian Chrome ACR" gjithashtu ka ndërtuar një qendër që mat paprerë cilësinë e ajrit, duke kontrolluar e mbajtur në nivel europian parametrat mjedisorë të uzinës. Uzina e ferrokromit në Elbasan rifilloi në ditët e para të gushtit prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë, ndërsa u fut në prodhim edhe një furrë e re për prodhimin e ferrokromit me karbon të ulët, një mall shumë i kërkuar në tregjet ndërkombëtare.

Uzina e Elbasanit po prodhon aktualisht rreth 3 mijë tonë ferrokrom në muaj, gjysma e të cilit me karbon të ulët.

Në një intervistë dhënë për gazetën më të madhe ekonomike austriake "Wirtschaftsblatt", pronarja e DCM DECOmetal znj. Skatsche-Depisch, deklaroi se furra e re e shkrirjes që është ndërtuar në Elbasan, është më e madhja në botë në llojin e saj.

Sipas Skatsche-Depisch, "me furrën e re për shkrirjen e kromit, DCM do të ngjitet në vendin e pestë në botë si ofrues i ferrokromit me karbon të ulët". Drejtori i përgjithshëm i "Albanian Chrome ACR", Elton Beqi, thotë me krenari se synimi i kompanisë është t‘i kthejë Shqipërisë shkëlqimin e dikurshëm.

"Ne duam që Shqipëria të mos eksportojë vetëm lëndë të parë, por produkt final, të renditet ndër vendet e zhvilluara që ofrojnë jo thjesht pasuri natyrore, por një industri realisht të përparuar dhe me standarde europiane të besueshme", thotë Beqi.

Sipas Sindikatës së Uzinës, punëtorët e ferrokromit në Elbasan janë modeli i trajtimit të mirë të punonjësve.

"Kur uzina u mbyll prej krizës botërore, punëtorët - edhe pse morën rregullisht 60% të pagës, u mërzitën ndjeshëm. Sepse këtu puna me akord dhe shpërblimet i bënë rrogat tona më të mirat e krejt industrisë së rëndë", shpjegon Ismet Dauti, kryetari i Sindikatës së Uzinës së Ferrokromit në Elbasan. Paga mesatare e punëtorëve në Elbasan luhatet mes 50-70 mijë lekë të reja. "Rifillimi i punës ka qenë një festë për punëtorët", thotë Dauti, një metalurg veteran. "Albanian Chrome ACR" po vlerëson ndërkohë edhe të ardhmen e uzinës së ferrokromit në Burrel, ndërsa 140 punonjësit e kësaj uzine kanë shumë muaj që paguhen me 50% të pagës, pavarësisht mbylljes së uzinës. Sipas gazetës austriake "Wirtschaftsblatt", pronarët austriakë të "Albanian Chrome ACR" e kanë përdorur kohën e krizës botërore për të investuar në sektorin e minierave. "Kompania nga Fürstenfeld, përveç kontrollit 100% të qendrës më të madhe prodhuese të kromit në Shqipëri, ka rritur edhe pronësinë në një minierë zirkoni në Australi. DCM mban gjithashtu 63% të aksioneve në një minierë të manganit në Afrikën e Jugut", shkruan "Wirtschaftsblatt".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›