E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet hajduti i xhamisë, policia: Rezulton i vdekur

Policia e Tiranës ka zbuluar ditën e djeshme autorin e vjedhjes së një xhamie, të ndodhur në fund të muajit korrik të këtij viti në Tiranë, por ai rezulton të jetë vrarë dhjetë ditë pas vjedhjes. Sipas policisë, autori rezulton të jetë Përparim Madani, 48-vjeç, i cili ka vdekur në datë 10 gusht të këtij viti. Ai u plagos rëndë gjatë një tentative vjedhjeje të një lokali në Kashar, ndërkohë që pronari e ka goditur atë me sëpatë pas koke. I dëmtuari u dërgua në gjendje të rëndë në spital, por vdiq disa orë më vonë.
Burimet policore bënë të ditur se, ditën e djeshme, seksioni kundër vjedhjeve arriti të zbulojë vjedhjen e xhamisë në Sauk të Ri. Pikërisht më 30 korrik u konstatua vjedhja e kësaj xhamie, ku autori kishte arritur të merrte 30 mijë lekë. Ai kishte hapur me forcë arkën dhe kishte marrë paratë. Policia e regjistroi këtë ngjarje dhe menjëherë nisi kërkimet për identifikimin e autorit. Një gjë e tillë nuk ishte realizuar deri dje. Por, kur është konstatuar se kush është autori, pasi kanë dalë shenjat e gishtave, është mësuar se ai ka vdekur që më 10 gusht. Bëhet fjalë për Përparim Madanin, i cili u godit me sëpatë gjatë një tjetër tentative vjedhjeje. Përparim Madani, 47 vjeç, banues në Kodër Kamëz, mbeti i plagosur rëndë me sëpatë në kokë nga Selim Kamberi 28 vjeç, kur në mesnatën e së shtunës, duke u gdhirë dita e diel më datë 10 gusht, në fshatin Yrshek të Komunës së Kasharit, ka shkuar të vjedhë në lokalin e familjes Kamberi. Pikërisht këtu, ndaj tij ka reaguar një nga vëllezërit e familjes Kamberi, Selim Kamberi, i cili është përleshur me Madanin në ambientet e lokalit të tij, ndërsa në konfrontim fizik e sipër është goditur me sëpatë në kokë, duke pësuar një çarje të rëndë. Kjo plagë e rëndë, e marrë gjatë mesnatës, i ka shkaktuar vdekjen në Spitalin Ushtarak, ku ai po kurohej pas plagosjes. Në atë kohë policia shoqëroi Kamberin dhe dy fëmijët e tij. Selim Kamberi u arrestua për vrasjen e Madanit, pasi kishte tejkaluar kushtet e vetëmbrojtjes. Tashmë, prokurorisë i ka mbetur vetëm të mbyllë dosjen e vjedhjes së xhamisë, pasi autori rezulton i vdekur.
Kjo nuk është hera e parë që hajdutët konfrontohen me pronarët e bizneseve të ndryshme. Në mesnatën e 9 janarit të këtij viti, dy persona të maskuar hynë në ambientet e ndërtesës pesëkatëshe të kompleksit "Llanaj" në Unazën e Re, ndërsa një prej tyre u vra nga pronari i kompleksit. Sipas policisë, pronari Feim Llanaj qëlloi me armë zjarri Petrit Pjetrin, në dhomën e fëmijëve të tij, duke e lënë atë të vdekur. Në ato kohë u fol për dy persona, por më vonë policia pohoi se autori i grabitjes së mbetur në tentativë kishte qenë vetëm një. Viktima është përleshur me pronarin, duke mbetur i plagosur rëndë, ndërsa ndërroi jetë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Ekspertët mjeko-ligjorë dhe ata kriminalistë konfirmuan se autori i grabitjes kishte mbetur i vdekur për shkak të përleshjes me pronarin e kompleksit, ndërsa kishte marrë një plagë në kokë dhe në trup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›