E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i jep borxhin, i merr pajisjet në shtëpi

Është lodhur me borxhliun, duke pritur që t‘i japë paratë, por kur nuk ka mundur të presë më, ka vendosur që t‘i hyjë në shtëpi, e t‘i marrë çfarë të gjejë. Nuk ka dashur ta denoncojë, por as t‘ia falë paratë. Megjithatë kjo i ka kushtuar, pasi borxhliu nuk ka përtuar të njoftojë policinë e ta denoncojë për vetëgjyqësi. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Tiranë, ndërkohë që shërbimet e Komisariatit Nr.1 kanë dërguar për ndjekje penale autorin në fjalë. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, nga shërbimet e komisariatit të lartpërmendur filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Ibrahim D., 65 vjeç, banues në Tiranë, sepse me vetëgjyqësi, për një borxh, i ka marrë disa sende shtëpiake Qazim G., 46 vjeç. Ky i fundit nuk e ka penguar huadhënësin e parave, por sapo ka marrë disa sende elektroshtëpiake, ka njoftuar policinë, duke e kallëzuar për veprimin e kryer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›