E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjerimi që vret, kur borxhi zë borxhin

Mbijetesë. Kjo është fjala më e përshtatshme kur përballesh me realitetin e dhimbshëm shqiptar. Mungesa e kushteve minimale të jetesës janë bërë pjesë e këtij realiteti. Askush nuk e kthen kokën të shohë familjet shqiptare që jetojnë vetëm me të ardhurat e përkrahjes sociale. Në çdo qytet të Shqipërisë gjen familje që jetojnë duke marrë ushqime me listë.

Në mes të Tiranës gjen familje që jetojnë me listë. Gjen dyqane me lista 13-vjeçare. Ka familje që nuk dalin asnjëherë nga lista e borxhlinjve. Borxhi u zë borxhin. Këta defterë janë simboli i varfërisë. Ata janë shtuar nga zgjedhjet në zgjedhje.

Të marrësh ushqime duke të mbajtur lekët shënim shitësja, po bëhet fenomen i gjithë vendit. "Sapo kalon java e parë e rrogës nis dhe mbushet fletorja. Kur marrin rrogën ma kthejnë të gjithë shumën, por ka edhe nga ata që kanë nga 4 apo 5 vjet që nuk mi shlyejnë dot të gjitha borxhet", tregon një shitëse dyqani në Tiranë. Askush nuk merret me ata që mezi sigurojnë bukën e gojës, që vdesin nga uria. Në një vend që aspiron të hyjë në Europë nuk diskutohet uria, ushqimi me lista në dyqane. Por ka edhe më keq akoma. Në Shqipëri kryefamiljari vret veten, se nuk arrin të ushqejë familjen e tij. Ndërkohë që Kryeministri i vendit, kur prezanton programin e qeverisë së tij në Kuvendin e Shqipërisë, deklaroi se qeveria që ai drejtoi për katër vjet ka ulur nivelin e varfërisë në masën 70%. Por, siç duket Kryeministri ynë nuk ka dalë nga qendra e Tiranës. Shqipëria për të është që nga korpusi i Universitetit të Tiranës dhe deri te sheshi "Skënderbej", se po të dalësh pak më larg gjen dyqane të vogla, ku listat janë pa fund. Por siç duket i ngopuri nuk e dëgjon kërcitjen e zorrëve të të pangopurit. Kur shikon dëshmitë e këtij mjerimi, kur dëgjon kryefamiljarë që mbajnë familjet me tre mijë lekë në muaj, e kupton se varfëria nuk ka pësuar rënie, por rritje. Në fshatin Mushqeta, mjerimi ka sjellë një viktimë në familjen Tarja. Njëri prej dy djemve të kësaj familje i dha fund jetës së tij në moshën 16-vjeçare duke u vetëvarur në kumbullën e bahçes së shtëpisë. Në këtë shtëpi askush nuk punon. Kryefamiljari punon kur gjen punë. Mjerimi duket në çdo skaj të shtëpisë. Frigoriferi është bosh. Mbi sobë është një tenxhere me fasule. Kjo është menyja e kësaj familjeje pothuajse për të gjitha ditët e javës.

Bukuria, e ëma e djalit të vetëvrarë, me lot në sy, puth foton e të birit e kujton me dhimbje se Maringleni i premtonte kur ishte gjallë që do të shkonte në Greqi të punonte e t‘u dërgonte lekë.

Një invalid jep pesëmijë lekë në muaj nga paga e tij për familjen e vajzës me aftësi të kufizuara nga Shkodra, nëna e së cilës detyrohej të prekte pensionin e së bijës për të mbajtur me bukë fëmijët. "Duke qenë se vetë jam një njeri me aftësi të kufizuara e kuptoj se sa i rëndësishëm është ai pension për atë vajzë me aftësi të kufizuara, se sa i duhen për shëndetin ato para asaj. Meqë vetë jam në marrëdhënie pune për tre vjet, do t‘i dhuroj asaj familjeje pesë mijë lekë nga paga ime mujore, vetëm që pensioni i vajzës të sëmurë të mos preket". Këto ishin fjalët me të cilat shoqëroi gjestin e tij bujar, një nga shikuesit e "Fiks Fare". Dy ditë më parë, "Fiks Fare" transmetoi pamjet rrëqethëse të kushteve tejet të mjerueshme në të cilat jetonte familja Kulla në Shkodër. Kryefamiljari është ndarë nga jeta tre vjet më parë. Fëmijët e kësaj shtëpie kanë tre vjet që nuk i shohin frutat me sy. Jetojnë me pensionin e vajzës 5-vjeçare, e cila është me aftësi të kufizuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›