Albanian, nis hetimi për rrëmbim avioni
Trazhgim SokolajOdiseja e 110 pasagjerëve shqiptarë të avionit që u nis për në Bolonja dhe përfundoi në Bratislava përfundoi dje pas mesditës. Një avion i ngritur në fluturim ekstra ka marrë pasagjerët shqiptarë nga aeroporti i Sllovakisë duke i transportuar në destinacionin e tyre në Bolonja. Ndërkohë Drejtoria e Aviacionit Civil në Sllovaki dhe homologia e saj në Tiranë e kanë konsideruar incidentin si një ngjarje e rëndë duke pohuar se kanë nisur hetimet. Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil në Ministrinë e Transporteve në Tiranë, Ervin Mazniku, e konsideroi ngjarjen një incident të rëndë duke thënë se pala shqiptare ka nisur hetimet. Ai tha se palës sllovake i është kërkuar informacion në lidhje me ngjarjen ndërsa pritet që shkaqet e devijimit të avionit të bëhen të ditura në një raport të hollësishëm. Hetimi i aviacionit“Ne si DPAC kemi vendosur kontakte që natën e kaluar me Drejtorinë e Aviacionit Civil Sllovak, dhe në baze të procedurës standarde të aviacionit civil ndërkombëtar, Bordi Sllovak i Mbikëqyrjes së Incidenteve dhe Aksidenteve, nën juridiksionin e te cilit bie incidenti, po verifikon rrethanat e incidentit si dhe ka kërkuar raport të hollësishëm nga Air Slovakia”. Kështu është shprehur dje Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Ervin Mazniku. “Dua t’ju siguroj se Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar do t’i shkoje deri në fund hetimit të këtij incidenti te rëndë dhe do të përdorë fuqinë që i jep ligji për garantimin e të drejtave të pasagjereve edhe në të ardhmen”, tha më tej kreu i Aviacionit Civil shqiptar. Policia nis hetimetNdërkohë nga burime zyrtare të policisë së shtetit është konfirmuar dje fillimi i hetimeve nga sektori përkatës në policinë e Tiranës në lidhje me devijimin e fluturimit të avionit. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Tiranës, mësohet se bazuar në njoftimin dhe informacionin e marrë, për devijimin e fluturimit të avionit Boeing 737-333, pa njoftimin e kullës së Rinasit dhe pa lajmërimin e kullës së aeroportit destinacion në Bolonja, ka nisur hetimi me akuzën e “rrëmbimit të avionëve”. Policia tha se një vepër e tillë penale parashikohet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Ky Kod parashikon se shtetasit e huaj që kryejnë rrëmbim avioni në Shqipëri apo në dëm të shtetasve shqiptarë, ndiqen penalisht sipas dispozitave të ligjeve shqiptare. Në nenin 111 të Kodit Penal të Shqipërisë, me titull rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera, thuhet se “zotërimi dhe vënia nën kontroll e avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera të transportit ku ndodhen njerëz, duke përdorur dhunë ose me kërcënim me armë a mjete të tjera, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet”.ItinerariAvioni Boeing 737-333 është nisur nga Rinasi të hënën në ora 16:31. Fluturimi ka zgjatur më tepër se zakonisht dhe për këtë shkak pasagjerët kanë pyetur ekuipazhin i cili ka thënë se kishte një defekt që mund të riparohej vetëm në Bratislava. Mbrëmjen e të hënës avioni është ulur në aeroportin Sllovak ndërsa 110 pasagjerët për disa orë kanë mbetur aty. Më pas i dërguari i Ministrisë së Jashtme ka mbërritur në aeroport ndërsa kompania Albanian Airlines ka bërë rezervimet në hotele për pasagjerët që kanë dashur të strehohen. Shumica prej tyre e kanë kaluar natën në hotele ndërsa ditën e djeshme, pas dreke, drejt Bratislavës ka fluturuar një avion Airbus i cili ka bërë transportimin e pasagjerëve në drejtim të Italisë. Drejtori i Përgjithshëm i aviacionit civil Ervin Mazniku tha se avioni i tipit Airbus 320 me nr. fluturimi LV 116, me të gjithë pasagjerët në bord, është nisur nga aeroporti i Bratislavës dhe ka mbërritur në aeroportin e Bolonjës dje në orën 16:45.DPAC njofton Komunitetin EvropianDrejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Ervin Mazniku pasi dënoi dje aktin e devijimit të avionit të kompanisë sllovake tha se institucioni i drejtuar prej tij do të njoftojë për këtë incident, organet kompetente të Komunitetit Evropian përgjegjëse për Sigurinë në fluturim. Informacioni dhe ankesat janë depozituar edhe pranë autoriteteve sllovake. Sllovakia: Po hetojmë shkaqet e incidentitAvioni që devijoi fluturimin sipas të dhënave zyrtare i përket kompanisë Air Sllovakia. Mjeti fluturues ishte marrë me qira nga Albanian Airlines që nga nëntori i vitit 2009. Ministria e Transporteve në Tiranë ka njoftuar se avioni i përkiste sipas kontratës, palës sllovake e cila me dokumentin e nënshkruar kishte marrë përsipër sigurinë operacionale. Incidenti, grevë e pilotëve për rrogatNë një informacion të publikuar dje nga mediat ndërkombëtare thuhej se Drejtoria e Aviacionit në Sllovaki po hetonte shkaqet e incidentit ndërkohë që nga kontaktet që ajo ka pasur, pilotët janë ankuar se nuk ishin paguar në mënyrë të rregullt. Ata ishin ankuar se kompania për llogari të se cilës kryenin fluturimet, kishte vonuar rrogat disa herë. Kontrolli teknik mohon alibinë e pilotëveDeri mbrëmjen e djeshme nga kontaktet e palës shqiptare me atë sllovake është konfirmuar se avioni Boeing 737-333 që devijoi fluturimin për në Bolonja, nuk ka pasur probleme teknike. Ai i është nënshtruar një kontrolli në aeroportin e Bratislavës ku është hedhur poshtë alibia e përdorur fillimisht nga pilotët për defekt teknik. Gjoni: Orët diplomatike të incidentit ajrorTIRANE - Ministria e Jashtme në Tiranë është vënë menjëherë në lëvizje mbrëmjen e të hënës për t’i shkuar në ndihmë pasagjerëve të avionit që përfundoi në Bratislava. Ky dikaster ka përdorur të gjithë mekanizmat diplomatikë në mënyrë që pasagjerët shqiptarë të mos kishin asnjë problem, të strehoheshin dhe të trajtoheshin në mënyrë korrekte nga autoritetet Sllovake. Ministri i Jashtëm Ilir Meta i cili është ndodhur me vizitë zyrtare jashtë vendit ka ndjekur situatën dhe ka ngarkuar zv.ministren e Jashtme Edith Harxhi për menaxhimin e situatës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ralf Gjoni sqaroi dje në një interviste për Ora News, gjithë angazhimin e këtij dikasteri në ndihmë të 110 pasagjerëve që përfunduan në Bratislava. I pyetur për odisenë e 110 shqiptarëve, ai tha se duhet “t’a quajmë pothuajse të përfunduar këtë incident”. “Sipas informacionit të fundit që na ka ardhur nga Bratislava, udhëtarët janë futur në avionin e posaçëm i cili është nisur tashmë nga Bratislava, pas pastrimit të pistës nga dëbora. Jemi të lehtësuar dhe të lumtur që u arrit një zgjidhje për pasagjerët, pas një odiseje të lodhshme e të tejzgjatur, si për pasagjerët, ashtu edhe për ekipin tonë të Ministrisë së Jashtme në terren, që u është gjendur pranë pasagjerëve në çdo moment gjatë orëve të natës”, tha Gjoni. Sipas tij, në një rast të tillë ku një avion me mbi 100 pasagjerë me fëmijë brenda, niset nga Tirana për në Bolonjë, dhe përfundon në një destinacion tjetër si Bratislava, në kushte të vështira atmosferike, pa ju dhënë asnjë lloj informacioni, Ministria e Jashtme u vendos përpara një përgjegjësie për t’u kujdesur për ta. Zëdhënësi Ralf Gjoni tha se Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili ndodhet jashtë shtetit në udhëtim zyrtar, u informua menjëherë rreth ngjarjes, dhe ngarkoi Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Edith Harxhi për t’a menaxhuar këtë situatë. Znj. Harxhi, pas informimit nga Drejtoria e Aviacionit Civil, menjëherë njoftoi Ambasadën shqiptare në Pragë, duke pasur parasysh se Sllovakia mbulohet nga përfaqësia jonë në Pragë. Kjo e fundit hyri në kontakt me autoritetet sllovake për të marrë informacion dhe për të siguruar pasagjerët shqiptarë në një sallë të ngrohtë në aeroport, në pritje të një zgjidhjeje. Duke pasur parasysh edhe largësinë gjeografike të Pragës me Bratislavën, zv.ministrja Harxhi urdhëroi nisjen e menjëhershme të të Ngarkuarit tonë me Punë në Vienë, Egin Ceka që të nisej drejt Bratislavës. “Do doja të theksoja gjithashtu që kemi pasur një bashkëpunim shumë efikas edhe me Ambasadorin dhe Konsullin e Nderit sllovak në Tiranë, të cilët mundësuan kontaktin e drejtpërdrejtë me Ministrinë e Jashtme sllovake dhe vetë Ministrin Lajçek, i cili ngarkoi një ekip të posaçëm për të verifikuar ngjarjen dhe për të siguruar asistencën e nevojshme”, tha zëdhënësi Gjoni.