Inspektimi, procedim disiplinor gjashtë prokurorëve të Durrësit
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme fillon procedimin disiplinor për gjashtë prokurorë të qytetit të Durrësit. Shkak janë bërë shkeljet dhe abuzimet që u janë gjetur në detyrë prokurorëve "në hetim" gjatë një inspektimi të zhvilluar disa muaj më parë nga organi qendror i akuzës. Lajmi konfirmohet nga burime të prokurorisë të cilat thanë se pak kohë më parë ka përfunduar inspektimi në prokurorinë e Durrësit ku janë gjetur shkelje në disa dosje penale. Pas inspektimit, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme ka përgatitur një raport në lidhje me shkeljet duke propozuar në gjashtë raste nisjen e procedimeve disiplinore ndaj prokurorëve që kanë hetuar dosjet me shkelje dhe me mangësi. Këshilli i Prokurorisë ndërkohë ka shqyrtuar materialet e kontrolleve dhe në përfundim ka vendosur të fillojë procedimin disiplinor ndaj gjashtë prokurorëve të qytetit të Durrësit. Parregullsitë në prokurorinë e qytetit bregdetar të konstatuara gjatë inspektimit në fjalë u bënë shkak pak kohë më parë edhe për largimin nga detyra të ish-kryeprokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Ai u shkarkua nga detyra me urdhër të Prokurores së Përgjithshme ndonëse më pas deklaroi se ishte dorëhequr. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi pas shkarkimit të Ndojës se largimi i tij është bërë pas një kontrolli në Prokurorinë e Durrësit ku ishin gjetur shkelje dhe mangësi në punë. "Me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm është ushtruar kontroll tematik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për kontrollin e veprimtarisë së Prokurorisë për një periudhë 2-vjeçare", theksoi prokuroria. Sipas saj, "në përfundim të kontrollit në Prokurorinë e Durrësit janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj Prokurorie". Organi qendror i akuzës, ka njoftuar se "këto shkelje rezulton se kanë ardhur si rrjedhojë direkt e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i prokurorisë së Durrësit". Masat e para administrative erdhën menjëherë pasi kryeprokurorja Ina Rama u njoh me konkluzionet e inspektimit në Prokurorinë e Durrësit. Ndërkohë tashmë gjashtë prokurorë janë në proces hetimi disiplinor nga Këshilli i Prokurorisë. t r.so