E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre gjimnaze sherre masive me thika

 ELBASAN/ BERATGjimnazistët shpërthejnë në sherre masive në shkollat e Elbasanit dhe Beratit. Dy ngjarje u shënuan brenda një dite, kur adoleshentët u përplasën mes tyre jo vetëm fizikisht, por dhe me thika e tulla. Disa janë plagosur, por fatmirësisht pa pasoja për jetën. Tre nxënës përfunduan dje në spitalin e Elbasanit, ndërsa 10 të tjerë në Berat pësuan çarje në kokë e pjesë të tjera të fytyrës pas dhunës masive me tulla e objekte të tjera rrethanore. ELBASANPërleshja masive në Elbasan është bërë ndërmjet nxënësve të dy shkollave. Të përfshirë në përleshje ishin 14 adoleshentë, nga të cilët 11 nga shkolla profesionale “Ali Myftiu” në Elbasan dhe tre të tjerë nga gjimnazi i fshatit Kuqan. Gjatë paradites, 11 nxënësit e qytetit janë nisur drejt gjimnazit të Kuqanit, 6 km nga Elbasani. Ata kanë pritur derisa në oborr janë shfaqur të rinjtë, dy prej të cilëve nga fshati Kryezjarr dhe tjetri nga Kuqani. Grupi masiv ka nisur të godasë tre nxënësit me grushte e më pas edhe me thika duke i lënë të gjakosur. Mësuesit dhe nxënësit e tjerë i kanë ndihmuar ata duke i dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit. Të plagosurit janë A.S., J.S., dhe A.S, që të tre 17 vjeç. Drejtoresha Rajmonda Kokoneshi sinjalizoi menjëherë policinë. Kjo e fundit u nis drejt fshatit Kuqan ku gjatë rrugës ndaloi 11 të rinjtë që ktheheshin “fitimtarë”. Sipas mjekëve të Elbasanit, gjendja e tre të plagosurve është jashtë rrezikut, por ata mund të kenë probleme që mund të paraqiten pas 24 orëve që do të kalojnë në observacionin e spitalit kirurgjik. Pasi u morën në pyetje 11 protagonistët, rezultoi se zanafilla e ngjarjes kishte qenë 5 ditë më parë. Në autobusin e linjës Elbasan-Kuqan, 14 nxënësit kishin pasur një përleshje mes tyre. Nxënësit e shkollës profesionale kishin vendosur të hakmerreshin ndaj tre bashkëmoshatarëve të tyre gjimnazistë. Sipas policisë, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes nuk do të ketë të ndaluar, kjo edhe për efekt të moshës ende të mitur të tyre. BERAT Konflikti ndërmjet dy klasave paralele të viteve të treta në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” në Berat degjeneroi dje me grushte e tulla midis tyre. Për pasojë, 10 nxënës pësuan plagë, por fatmirësisht pa rrezik për jetën. Sherri ka nisur fillimisht midis katër nxënësve në pushimin e orës së parë të mësimit. Ata kanë qenë të ndarë në dy grupe, ku sipas burimeve ka pasur edhe femra. Madje dyshohet se sebepi i konfliktit të ketë qenë njëra prej tyre. “Pse shikon këtej?”, mësohet se i është drejtuar një nxënës bashkëmoshatarit të tij. Sherri ndërmjet tyre ka degjeneruar në sharje. Më pas, njëri prej nxënësve, ka shkuar në klasën e H.S., ku e ka ofenduar atë në sy të të gjithëve. Më pas në pushimin e orës tjetër, e gjithë klasa që u ofendua i është drejtuar nxënësit, në ndihmë të të cilit më pas është futur klasa e tij duke degjeneruar në një sherr masiv me grushte e shkelma e më pas edhe me tulla mes tyre. Për pasojë 10 prej tyre janë dëmtuar në kokë e pjesë të tjera të trupit, por pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore ata janë shoqëruar në polici. Kjo e fundit mbërriti në vend pas sinjalizimit të dhënë nga mësuesit, të cilët e kishin të pamundur për të ndërhyrë në revoltën e nxënësve të tyre. Ngjarja ndodhi vetëm rreth 300 metra larg Drejtorisë së Policisë. Kjo e fundit thirri në ambientet e saj edhe prindërit e nxënësve.                      a.k/d.xhStafi pedagogjikPas ngjarjeve të ndodhura, drejtoritë e të tre shkollave në Elbasan dhe Berat pritet të zhvillojnë sot një mbledhje me stafin pedagogjik. Sipas burimeve, në mbledhje do të jenë edhe prindërit e nxënësve që u përfshinë në konfliktet që degjeneruan me plagosje. Të njëjtat burime nuk përjashtuan mundësinë që stafi pedagogjik të marrë masa ekstreme deri edhe në përjashtime nga shkolla të nxënësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›