Kapen në port 7 kosovarë me dokumente false
DURRES - Shtatë kosovarë ndalohen në portin e Durrësit, gjatë tentativës për të kaluar ilegalisht në Itali. Katër prej tyre janë arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërsa tre të tjerët do të ndiqen penalisht në kushte lirie. Policia e Durrësit bëri me dije se Shkodran Kryeziu 22 vjeç nga Gjakova, Miftar Limani 19 vjeç nga fshati Goden, Ambroz Lucia 35 vjeç nga Gjakova dhe Ganimed Gashi 42 vjeç nga Prizreni kanë përfunduar në pranga vetëm 20 metra larg tragetit të linjës së Barit. Ata përdornin leje qëndrimi të falsifikuara të policive të ndryshme evropiane, si: zvicerane, gjermane dhe italiane duke deklaruar në kufi se ishin rezidentë në këto shtete. Por gjatë kontrollit kompjuterik në policinë kufitare të Durrësit rezultoi se dokumentet e katër shtetasve kosovarë ishin të falsifikuara, pasi të dhënat e tyre nuk ndodheshin në rrjet. Ndonëse policia ka dyshimet se katër personat janë viktimë e një rrjeti trafikantësh që dërgon klandestinë në Evropë, të arrestuarit nga deklarimet e para e kundërshtojnë këtë ide, duke thënë se ka qenë një tentativë individuale e secilit për emigrim. o.u