E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albanologjia, 140 mastera dhe doktoratura

Studime
Specialistët e qendrës, në shërbim të formimit të thelluar të studentëve

Qendra Shqiptare e Studimeve Albanologjike ka çelur për herë të parë studimet pasuniversitare master dhe doktoraturë për 140 aplikantë. Në kuotën prej 140 të rinjsh që do të pranohen në këto studime masteri dhe doktoraturë, 15 do të vihen në dispozicion të aplikantëve nga trojet jashtë vendit.
QSA, aktualisht me rreth 100 punonjës shkencorë e specialistë të kualifikuar, është një ndër institucionet ndëruniversitare e kërkimore të rralla që vë në shërbim të formimit të thelluar të studentëve e të kërkuesve të rinj pothuaj një specialist për çdo student të pranuar në shkollat e saj të masterit e të doktoraturës.
Qendra Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike (QNSA) është krijuar nga bashkimi i Instituteve Kërkimore të Arkeologjisë, Gjuhësisë dhe Letërsisë, Historisë, Kulturës Popullore, si dhe i dy Qendrave Kërkimore, asaj të Studimit të Artit dhe asaj të Enciklopedisë Shqiptare. Ato u riorganizuan pas shkrirjes së instituteve në varësi të Akademisë së Shkencave.
Në hapjen e këtyre studimeve nga Qendra Shqiptare e Studimeve Albanologjike mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Ai vlerësoi se shkollimi i të rinjve prej QSA-së, ka veçori, krahasuar me studimet e tjera, pasi ato përbëjnë një bazë të mirë të kërkimeve shkencore.
“Pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike janë ofruar nxënës të shkëlqyer dhe kjo përbën një premisë bazë për mastera dhe doktorata shumë të mira, duke ruajtur statusin e qendrës më të mirë në nivel shkencor”, u shpreh Tafaj. Ministri i Arsimit dhe Shkencës shtoi se kriteret e ekselencës në të cilat e mbështet punën QNSA, duke garantuar nivel të lartë formimi për studiuesit e së ardhmes dhe se strategjia e qeverisë për arsimin dhe shkencën synon që, brenda një periudhe të shkurtër, ta forcojë sistemin universitar dhe pasuniversitar të studimeve, për ta ngritur atë sa më shpejt në standardet e afirmuara europiane.
Në fund të përshëndetjes së tij, ministri Tafaj ndau në mënyrë ceremoniale, përpara auditorit të mbushur me studentë të QNSA dhe me punonjësit shkencorë të këtij institucioni të rëndësishëm, diplomat për tre punonjës të QNSA që u promovuan me titullin “Profesor-Doktor”.
Kërkimi shkencor konsiderohet si një nga pikat e dobëta të arsimit shqiptar. Rigrupimi i instituteve të Akademisë së Shkencave në qendra kërkimore shkencore universitare kishte për qëllim stimulimin e kërkimit shkencor. Aktualisht, studiuesit dhe kërkuesit shqiptarë mund të konkurrojnë në një numër të madh projektesh europiane, me kushte të barabarta me kolegët e tyre në botë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›