Shtesat part-time, shpallen fituesit
Nuk do të ketë asnjë mundësi tjetër për maturantët që nuk fituan asnjë të drejtë studimi
Janë mbyllur të gjitha procedurat, janë ezauruar të gjitha mundësitë për të fituar një të drejtë studimi. Pas plotësimit të katër formularëve, Maturës Shtetërore, shtesave për shkak të kuotave të parealizuara apo procedurat e vendosura për t’i dhënë një shans atyre që nuk fituan shkollën e lartë në sistemin me kohë të plotë, njoftohet edhe mbyllja e procedurave për sistemin part-time. Dje universitetet kanë shpallur listat e fituesve, si dhe listat e emrave të kandidatëve, duke i renditur ata në listë në bazë të notës mesatare. Kështu, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit tashmë janë mbyllur edhe procedurat e konkurrimit për të gjithë të interesuarit e sistemin part-time apo të edukimit në distancë. Pas këtyre shtesave, për shkak të kuotave të paplotësuara nuk do të ketë më asnjë shans tjetër.
Pavarësisht dëshirës së mirë të universiteteve për të pranuar edhe më shumë studentë, në këtë kohë kur viti akademik ka tre muaj e gjysmë që ka nisur, mundësitë për shtesa apo mundësi të reja janë me tolerancë zero. Kështu, të gjithë maturantët që u shpallën fitues në një nga degët, duhet të paraqiten pranë sekretarive të fakulteteve për të bërë regjistrimin në mënyrë që të mos humbasin vitin, për shkak të mbylljes së afatit të regjistrimeve. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, fituesit duhet të paraqiten në degët e universitetit ku janë shpallur fitues dhe të dorëzojnë dëftesën origjinale të shkollës së mesme.
Sakaq, Rektorati i Universitetit të Tiranës ka bërë dje publike emrat e fituesve në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ndërkohë që ka afishuar listën e aplikantëve në Fakultetin Juridik. Sipas Universitetit të Tiranës, janë bërë publike listat dhe mesataret e gjithsecilit, në mënyrë që nëse evidentohen pasaktësi, aplikantët të kryejnë procesin e ankimimit pranë UT-së, apo sekretarive të fakulteteve.
#