Teksti mësimor nuk po e bën punën e tij
Pëllumb Karameta
Po të nisesh nga disa prej treguesve të dizenjimit të librit shkollor në Shqipëri (shpejtësia e hartimit dhe botimit të teksteve, miratimi nga enti përgjegjës deri te ritmi me të cilin ata zëvendësohen çdo vit), duket se përgatitja e tij nuk është dhe aq e vështirë. Mjafton të ndash kurrikulin vjetor në 5-6 kapituj dhe të futësh 8-10 mësime në secilin prej tyre me 1-2 faqe tekst, 2-3 figura ose skema, pa harruar të shtosh edhe 4-5 pyetje në fund. Lidhi së bashku të gjitha këto dhe ja tek keni tekstin mësimor, ose të paktën diçka që i ngjan atij. Kjo ndjesi vijon të përjetohet sa kohë sheh të ndryshojnë politikat për hartimin e teksteve shkollore. Edhe pse politika e Altertekstit shënoi kalimin nga sistemi i centralizuar i përgatitjes së teksteve drejt tregut të lirë të sigurimit të tyre dhe u cilësua me bujë si politika që përmirësoi sistemin e mëparshëm në 8 aspekte të ndryshme, sërish, pak ditë më parë, Kryeministri konturoi politikën e re për tekstet shkollore: “Po studiohet e reformohet Alterteksti dhe qëndrimi ndaj një seri programesh”. Në vijim, ministri i Arsimit dhe Shkencës deklaroi: “Alterteksti është reformë e standardeve europiane, por kishte vendosur në plan të parë shtëpinë botuese, ndërsa ne do të vendosim grupin e autorëve”(?!). Aktorë të tjerë, studiues dhe botues, këto ditë po komentojnë gjendjen: “Disa nga arsyet që kanë bërë të çalojë ‘Alterteksti’ janë moshartimi i programeve dhe teksteve në grup nga klasa e parë në klasën e pestë, nga klasa e pestë në klasën e nëntë e kështu me radhë, me qëllim që autorët të dinë çfarë t’i japin nxënësve nga njëra klasë te tjetra”; “mësuesve u janë dhënë librat me imponim”; “vetëm me një bashkëpunim mjaft të ngushtë jo vetëm me autorët dhe specialistët e arsimit, por edhe me bizneset e botimeve mund të arrihet në perfeksionimin e kësaj reforme”; “vetë autori, pa mbështetjen e një redaksie didaktike, nuk është në gjendje të përgatisë një tekst, pa përmendur këtu të gjitha hallkat e tjera derisa teksti të shkojë në dorë të nxënësve”; “tekstet shkollore realizohen në një periudhë shumë të shkurtër, për vetëm tre muaj dhe më pas kalojnë në komision për të marrë vlerësimin përkatës”.
Këtyre konstatimeve po u shtoj dy të tjerë. Pak ditë më parë, një specialist amerikan i arsimit, që punon në vendin tonë, deklaronte në gazetën “Mësuesi”: “Shkollat e Shqipërisë i ngarkojnë shumë nxënësit me lëndë të tepërta dhe të detyrueshme. Studentët shqiptarë mësojnë 13 ose 14 lëndë në krahasim me 7 ose 8 që mësojnë shokët e tyre në shkollë të mesme në Amerikë”. Gjithashtu, nga kërkimet tona del se në Angli, nxënësit e klasave VII-IX për grupin e lëndëve fizikë, biologji, përdorin vetëm 1 tekst, ndërsa nxënësit tanë përdorin 9 tekste (!), në një kohë kur secili prej teksteve angleze ka numër faqesh të krahasueshme me çdo tekst tonin. Mbingarkesa e teksteve – në tërësi dhe në sasinë e informacionit për tekst - ka krijuar në shkollat tona një mjedis mbytës. Nxënësit kanë humbur interesin ndaj nxënies, mësuesit lodhen dhe nuk shijojnë frytet e punës, prindërit shohin çdo ditë që fëmijët e tyre nuk studiojnë më sa duhet në shtëpi, ose studimi i tyre nga burim kënaqësie që do duhej të ishte, zë gjithë kohën e lirë dhe nuk jep frytin e pritur. Nuk po flas këtu për cilësinë e botimit të teksteve, apo për kostot e larta që detyrohen të përballojnë prindërit nga hedhja në treg e një numri kaq të madh tekstesh.
Dy sugjerime
Politika e Altertekstit e synoi cilësinë e teksteve shkollore nëpërmjet konkurrencës. Pikërisht për këtë, MASH do duhet të bënte kujdes për kuadrin që rregullonte bashkëveprimet e aktorëve. Jo më kot, vendet europiane kanë krijuar institucione (borde, komisione), korniza rregullatore (standarde të kurrikulit, politika), licencojnë shtëpitë botuese, ngrenë sisteme monitorimi e vlerësimi dhe rrjete informimi, pjesë e të cilit janë Ministria e Arsimit, bordi i teksteve, komisionet lëndore, agjencitë publike arsimore, shkollat, mësuesit, prindërit, nxënësit etj. Në Kroaci, përgatitja e tekstit shkollor i ka rrënjët në sistemin e standardeve arsimore kombëtare, që u testuan në vitin shkollor 2005-2006, në 5% të shkollave fillore (në 49 të tilla) dhe, një vit më pas, u zbatua në sistem. Po atë vit, atje, u miratua Standardi i teksteve që përshkruan standardet për tekstet shkollore dhe për licencimin e shtëpive botuese. Në Austri janë hartuar kritere cilësore për aprovimin e teksteve shkollore (veç kritereve që lidhen me përmbajtjen). Ata mbulojnë hapësirën ku përfshihen punët e pavarura dhe pjesëmarrja, përgatitja e të rinjve për jetë, qytetaria, demokracia dhe barazia. Lituania përdor ekspertë individualë për vlerësimin e teksteve shkollore që janë miratuar nga bordet e ekspertëve. Në Irlandë, tekstet shkollore për arsimin para universitar nuk caktohen paraprakisht, por Këshilli Kombëtar për Kurrikulin dhe Vlerësimin pajis mësuesit me bibliografi të detajuar dhe sugjeron burimet për çdo grup lëndësh. Mendoj se lehtësia me të cilën ndryshohen politikat në Shqipëri për tekstet shkollore (tre ministrat e fundit të arsimit kanë mbështetur tre politika alternative) i kanë rrënjët në boshllëqet e kuadrit rregullator. Kështu, në ligjin për arsimin parauniversitar ka vetëm një depozitë që përcakton autoritetin e MASH për ndërtimin e kurrikulit të arsimit (?!). Neni 52, pika 1 thotë: “Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ose institucione të tjera vartëse që ajo cakton, miratojnë dokumentet themelore arsimore, që përfshijnë planet, programet dhe tekstet mësimore për institucionet publike arsimore”. Vetëm kaq, asgjë më shumë, thuajse bëhet fjalë për ngritjen e ekipeve të futbollit të shkollave dhe jo për vetë zemrën e sistemit arsimor. Theksoj: i kushtohet një dispozitë ligjore atij elementi të sistemit arsimor që vendet europiane (përmend këtu me respekt Anglinë, Spanjën, çekinë etj.) i kushtojnë faqe të tëra në legjislacion dhe përcaktojnë deri listat e programeve lëndore me përmbajtjet e tyre kryesore. Madje, Spanja, në ligjin organik të vitit 2006, e pa të arsyeshme të normonte me dispozitë të veçantë edhe mënyrën e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e kurrikulit (Organic Law of Education, 2/2006, neni 8, pika 4). Nga ana tjetër, përmbajtja e ndryshimeve që po planifikohen të zbatohen ilustron qartë padijen për trendin bashkëkohor në fushë. Qasja moderne për përgatitjen e teksteve shkollore nuk mbështetet tani as tek elementët e tekstit (teksti, ilustrimet, mjete didaktike dhe informuese) dhe as te funksionet e mësimdhënies (zbatimi i njohurive, motivimi, sistemimi, koordinimi, diferencimi). Në dallim nga këto dy qasje, që po i quaj tradicionale - ato i gjejmë të zbatuara me entuziazëm në hartimin e teksteve nga autorët dhe shtëpitë tona botuese - sot po zhvillohet qasja e re, sipas së cilës aspektet e hartimit dhe të vlerësimit të teksteve përcaktohen nga elementët përbërës të procesit të nxënies. Kështu, teksti dizenjohet të jetë mjeti që ndihmon nxënësit të kuptojnë faktet, që krijon kushtet ku të përdoren dijet, që ofron situata të larmishme që kërkojnë zgjidhje, që nxit nxënësit të ndërtojnë strategjitë dhe metodat e përshtatshme për nxënie, duke ndikuar, kështu, mbi personalitetin dhe qëndrimet e nxënësit.
Qasja e re thekson, veçanërisht, zbatimin e dijeve dhe elementët e metodave të zgjidhjes së problemit; ndihmon nxënësit si të nxënë dhe të zhvillojnë mendimin e pavarur kritik. Ajo orientohet nga strategjia e hartuar nga UNESKO-s, sipas së cilës tekstet duhet të nxitin çdo element të procesit të nxënies dhe roli i tyre të mos kufizohet vetëm mbi nxënien e njohurive faktike: një pikëpamje e kohës dhe gjithëpërfshirëse e identifikon cilësinë e materialeve të nxënies si cilësi që nxit aktivisht nxënësin drejt procesit të ndërtimit të dijeve, shkathtësive dhe qëndrimeve të nevojshme për t’u bërë qytetar i përgjegjshëm në komunitetin ku jeton dhe në botë”.Nga ana tjetër, qasja e re ndikon që gjatë hartimit të teksteve të përshtaten rezultatet e kërkimit dhe konceptet zhvilluese për nxënien. Duke i harmonizuar kriteret e vjetra dhe të reja të cilësisë rreth elementëve të nxënies, krijohen kushte ideale për zbatimin e parimeve dhe të metodave që ndihmojnë nxënien efektive dhe nxiten autorët e teksteve të kërkojnë zgjidhje të reja. Studimet rreth kushteve të nxënies, zakonisht, u përgjigjen pyetjeve që lidhen me elementët e nxënies: Si zhvillohen te nxënësit aftësitë për zgjidhjen e problemit? çfarë roli luajnë njohuritë metakognitive në nxënie? Si e ndikojnë qëndrimin e nxënësit pikturat/skicat? etj.
Vendet që prosperojnë e organizojnë arsimin, duke u mbështetur në teoritë moderne dhe praktikat e mira të nxënies, prej nga burojnë rezultatet pozitive të nxënësve. Mbi të gjitha, duke e konceptuar arsimin si fuqinë më të madhe çliruese të energjive të njeriut dhe forcën më të jashtëzakonshme të progresit social, garanci të pakonkurrueshme për mirëqenien kombëtare.
Tiranë, 11.01.2010
#