E Diel, 1 Nëntor 2026

Minitestet, kontrolli i ri i nxënësve në gjimnaze

Metoda e re synon verifikimin e dijeve për të gjithë të rinjtë
Nxënësit që studiojnë me hope dhe presin radhën kur të ngrihen në mësim duket se nuk do ta kenë më të lehtë. Ministria e Arsimit, në një nga porositë e saj dërguar shkollave të mesme në të gjithë vendin, ka kërkuar aplikimin e minitesteve në orët e mësimit. Sipas drejtuesve të disa shkollave në kryeqytet, mësuesit janë orientuar që gjatë zhvillimit të orëve të mësimit të testojnë të gjithë klasën për një temë të caktuar. Përmes një pyetjeve dhe ndarjes në disa grupe, nxënësit e gjimnazeve do të provohen se sa kanë studiuar në një orë mësimi. Ndarja në grupe bëhet në mënyrë që të shmanget kopjimi.
Aplikimi i kësaj metode, sipas drejtuesve të shkollave, fillimisht nuk u prit mirë as nga vetë mësuesit, të cilët e konsideruan si një ngarkesë më tepër në punët e tyre të përditshme. Por tashmë kjo po rezulton si mjaft efikase në verifikimin e njohurive të të rinjve dhe përgatitjen e tyre të përditshme. Në fund të çdo minitesti, realizuesi (drejtuesi i shkollës) plotëson një formular që nënshkruhet edhe nga mësuesi i lëndës. Përfaqësues të gjimnazeve pohojnë se në bazë të këtyre formularëve, stafi drejtues harton evidenca, merr të dhëna studimore, nxjerr përfundime dhe programon detyrat për të ardhmen, për vete dhe mësuesin përkatës. Minimalisht drejtoria merr në analizë një herë në çdo semestër ecurinë e minitesteve.
Mbështetur edhe në rezultatet e kryerjes së minitesteve është planifikuar që në të ardhmen të rritet niveli i objektivit të minitestit, nga ai minimal që përdoret aktualisht, në atë mesatar. Një gjë e tillë konsiderohet si domosdoshmëri, sidomos në klasat shkencore, në klasat e 11-a e të 12-a dhe në lëndët e përzgjedhura të avancuara për klasat e 10-a.
Nga ana tjetër, aplikimi i metodës së minitesteve gjatë një ore mësimi, në një klasë e lëndë të caktuar, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit sjell për pasojë edhe atë që konsiderohet si rritja e mobilizimit, të mësuesit e të nxënësve, për të dhënë maksimumin. Gjithashtu, specialistët e arsimit sqarojnë më tej se minitesti evidenton masën e të nxënit minimalisht brenda orës së mësimit. Po kështu, vlerësohet se ai rrit efektivitetin e orës së mësimit. Gradualisht për shkollat e suksesshme po kërkohet që të realizojnë miniteste me objektiv të nivelit mesatar. Një tjetër element i rëndësishëm në suksesin e aplikimit të metodave të reja të mësimdhënies e mësimnxënies në shkollat shqiptare është edhe komunikimi me prindërit. Ai konsiderohet si mjaft i domosdoshëm, për të ndikuar edhe në suksesin e kryerjes së minitesteve.
Këto provime vetëm me një pyetje po përdoren nga mësuesit sidomos për të kontrolluar përgatitjen e nxënësve pas përfundimit të çdo kapitulli. Por ato mendohet që të zënë një hapësirë më të madhe edhe për testimin e orëve mësimore, duke marrë prej saj një minutazh të vogël, por rezultativ. Për aplikimin e metodave të reja mësimore, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit tregojnë se përmes drejtorive arsimore në rrethe po kryejnë edhe trajnime të shumta për mësuesit. Gjendja më e mirë paraqitet në qytetet kryesore të vendit, ndërsa si më problematike sërish ajo mbetet në zonat rurale.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›