Matura Shtetërore, me detyrim edhe anglishtja
Bashkë me letërsinë dhe matematikën, maturantët do të japin provim parësor edhe gjuhën e huaj
Matura Shtetërore nuk do ketë ndryshime thelbësore këtë vit. Formula e provimeve të pjekurisë e sidomos skema e Maturës Shtetërore nuk lejon ndryshime shumë të shpejta dhe të shpeshta. Kjo nuk është e rekomandueshme nga specialistët e arsimit, të cilët thurin politika përmirësuese, sidomos për brezin e ri.
Por kjo nuk do të thotë se grupi “modifikues” i specialistëve nuk kanë plane afatshkurtra apo afatgjata. Për 2010-n, ndryshimet e këtij procesi do të jenë shumë të vogla. Deri tani “molekulare” kanë qenë edhe propozimet nga ana e universiteteve në vend, ndërsa priten propozimet për koeficientët e provimeve të reja.
Në kohën kur Shqipëria është vend kandidat për të qenë pjesë e Europës, “llamba e ndriçimit” për europianizim po shkëlqen edhe në fushën e arsimit. Duke u nisur nga kjo, por edhe duke pasur parasysh përmirësimin e studimit për studentët e ardhshëm, është projektuar që në 2013-n, matura do të reformojë skemën.
Kështu nga dy provime me detyrim, siç është gjuhë-letërsia dhe matematika, maturantët do të japin edhe një tjetër provim me kushtëzim do të jetë edhe gjuha angleze.
Provimi i anglishtes
Matura e vitit 2013 të jetë një Maturë shumë afër standardit europian dhe gjimnazistët shqiptarë do të kenë mundësi të hynë në çdo universitet të botës pa dhënë asnjë provim plotësues. Në skemën e maturës të 2013, autoritetet arsimore synojnë që të bëjnë gjuhën angleze si provim të detyruar krahas matematikës dhe gjuhës e letërsisë. Në këtë mënyrë, gjimnazistët kur të fillojnë studimet universitare, të jenë në gjendje të marrin leksionet në gjuhën angleze çka do t’i krijojë mundësi universiteteve të ftojnë profesorë të huaj, të japin module, lënde ose cikle leksionesh në gjuhën angleze. Dhe kjo ishte vetëm rritja e cilësisë.
Matura 2010
Aktualisht për vitin 2010, specialistët e arsimit janë në fazën e kërkesave. Ministria ka kërkuar nga universitetet që të propozojnë koeficientët. Diskutimi që u bë në fillim të vitit akademik 2009-2010 kanë sjellë më shumë tolerancë duke sjellë më shumë lirshmëri. Ministria e Arsimit ka sqaruar se është e hapur për propozimet e reja që do të vijnë nga universitetet.
Por pavarësisht kësaj, edhe sipas universiteteve propozimet për ndryshime do të jenë të pakta. “Unë mendoj se ne nuk duhet të shpejtojmë me ndryshimin e peshës që zë mesatarja e shkollës së mesme, sepse ne duhet të vlerësojmë nivelin e shkollave dhe të vlerësojmë diferencat që ekzistojnë midis tyre. Vitin tjetër, sistemi arsimor shqiptar, ai parauniversitar i nënshtrohet vlerësimit të Pizës, standardi ndërkombëtar i OSBE dhe me këtë standard ne do të kemi mundësi të shikojmë se cilat janë diferencat reale midis shkollave dhe në bazë të vlerësimit të Pizës ne mund të riorientojmë edhe më shumë në kuptimin e peshës që zë mesatarja”, sqaroi pak kohë më parë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas tij, për këtë vit, Matura Shtetërore nuk do të ketë ndryshime esenciale në planin afatmesëm.
#