E Diel, 1 Nëntor 2026

Albanologjia vazhdon të mbetet peng i Ministrisë së Financave

Flet drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof. Ardian Marashi

Petrika GROSI
Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof. Ardian Marashi, tregon se Ministria e Financave ka bllokuar për gjithë këtë kohë projektet më të mëdha që janë dhe ndër objektivat e Albanologjisë... Gjithashtu, kjo Ministri ka bërë që Institutet Albanologjike të jenë të vetmet që nuk përfituan nga projekti për kthimin e trurit në Shqipëri, pavarësisht kërkesave dhe domosdoshmërisë së tyre. Po kështu, arkeologjia rrezikon seriozitetin edhe këtë vit nëse problemi i saj lihet në mëshirë të fatit, siç ndodhi vitin e kaluar kur arkeologët paguan punonjësit nga xhepi i tyre modest apo kur u është dashur të kthehen në lypës përballë instituteve homologe, me të cilat bashkëpunojnë për ekspeditat e ndryshme arkeologjike. Gjithsesi, Marashi shprehet optimist se, më në fund, këto probleme sivjet do të gjejnë zgjidhje, ndërkohë që sa i përket arkeologjisë, sipas tij primare mbetet historia e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës, për të cilën të huajt nuk kanë interes të investojnë pasi kjo periudhë përkon më tepër me krijimin e kombësisë shqiptare dhe nuk ka shumë lidhje me romakët dhe helenët.

Teksa pranvera erdhi, arkeologjia gatitet për ekspeditat e këtij viti. ǒdo të thoshte lidhur me këtë drejtori i QSA-së, prof. Ardian Marashi?
Si çdo vit, Instituti i Arkeologjisë përgatitet që të hapë sezonin arkeologjik me qëllim që të realizohen mjaft nga projektet që janë në vazhdim, ashtu si dhe projektet e reja që janë miratuar këtë vit në këshillin shkencor. Projektet përfshijnë të gjithë hapësirën kohore që studion arkeologjia. Më konkretisht, ka tre projekte për periudhën e Prehistorisë, 7 projekte për periudhën e Antikitetit dhe 7 të tjera për Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën. Gjithashtu, kemi dy projekte të rëndësishme për arkeologjinë nënujore.

E keni zgjidhur problemin e fondeve të munguara për Arkeologjinë?
Aktualisht jemi në lidhje të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, me qëllim që të nxjerrim fondin për pagesën e punonjësve me kontratë të përkohshme pa të cilët do të jetë i pamundur realizimi i çfarëdolloj projekti në arkeologji. Do të ishte e nevojshme në fakt që për Institutin e Arkeologjisë të parashikohej një buxhet vjetor i qëndrueshëm, me të cilin të mund të përballohej financiarisht sezoni arkeologjik.

Pra, situata vazhdon të mbetet e ngrirë dhe pa rezultat?
Situata nuk është bllokuar pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës deri nga fillimi i prillit do të bëjë një rialokim fondesh dhe më pas do ta kalojë në Ministrinë e Financave shumën e nevojshme.

Nuk do të ishte më mirë një qendër albanologjie e pavarur nga shteti?
Sidoqoftë, varësia e buxhetit është gjithmonë nga një institucion qendror. Në këtë aspekt, albanologjia, ashtu si universiteti, do të mbetet e varur në aspektin financiar, ndërkohë që për sipërmarrjet e tjera është e pavarur.

A keni vendosur përparësi sivjet?
Për arkeologjinë është e vështirë të flasim për prioritete, sepse projektet janë në vazhdimësi por po punohet me Apoloninë, Butrintin, Sovjanin dhe duhet të vazhdojë ecuria, në mënyrë që të mos ketë dëmtime dhe gjërat të nxirren në dritë në mënyrë sa më korrekte. Sidoqoftë, është e nevojshme që të studiohet me përparësi periudha e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës, e cila nuk financohet përgjithësisht nga partnerët e huaj sepse nuk lidhet me kulturën helene apo atë romake, por vetëm me kulturën shqiptare dhe me momentin e formëzimit të kombësisë shqiptare. Sa u takon projekteve të tjera me përparësi, që kanë nevojë urgjente për financim dhe shtjellim, mund të përmendim projektin për Historinë e Letërsisë Shqipe, i cili shkon bashkërisht me projektin “Autorë shqiptarë”, që finalizohen me botimin në një periudhë prej tre vitesh të veprave në disa volume. Projekt shumë i rëndësishëm që u aplikua edhe vjet nga MASH, por që nuk u akorduan fondet dhe mbeti pa u shtjelluar, është “Historia e shqiptarëve shek.XX”. Kjo histori mbetet prioritet për Institutin e Historisë, me qëllim që shumë botime me vlera të diskutuara të realizuara deri sot nga ky institut të mund të saktësohen nëpërmjet një pune shkencore të përgjegjshme, objektive dhe me grupe kërkimore, ku përfshihen specialistët më të mirë të fushës, vendas e të huaj. Ky projekt kërkon një financim të konsiderueshëm sepse e dimë që për historinë e shqiptarëve nuk financon kush tjetër përveç shtetit. Shpenzimet kryesore janë sidomos për nxjerrjen e arkivave, pasi projekti parashikon investigimin e rreth 30 arkivave të rëndësishme jashtë Shqipërisë.

Po me 30 punonjësit e rinj, që deklaruat se do t’i shtoheshin instituteve albanologjike gjysmën e dytë të vitit të kaluar, çfarë ndodhi?
MASH-i e dërgoi kërkesën për miratim në Ministrinë e Financave, por kjo e fundit e ktheu mbrapsht. Qendra Albanologjike është i vetmi institucion që nuk përfitoi nga projekti “brain gain” (projekti për kthimin e trurit) ndërkohë që nevojat janë urgjente për specialistë të rinj dhe për kompetenca që këto institute nuk i kanë si p.sh: zotërimi i gjuhëve rajonale përpunuar me dokumente dhe me arkiva, apo zotërimi i gjuhëve të vjetra etj.
Me logjikën time e shikoj të domosdoshme që kërkesa jonë të pranohet, por duhet pasur parasysh që këto 30 vende kushtojnë sa dyfishi i vendeve të zakonshme në administratë. Kjo për shkak se një punonjës shkencor paguhet tri herë më tepër nga një punonjës tjetër i administratës, sidomos kur punonjësit kanë edhe tituj shkencorë kjo shifër rritet shumë. Shpresojmë që këtë vit do të bëhet diçka, sidomos për të mbuluar me specialistë njësitë ndihmëse të reja dhe departamentet.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›