Filloi epopeja e UÇK-së në Kosovë, autoritetet homazhe
Me rastin e 11-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, filloi dje manifestimi treditor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, që këtë vit mbahet nën përkujdesjen e kryeministrit Hashim Thaçi. Me këtë rast, zyrtarë të lartë të Kosovës dhe partive politike bënë homazhe në Prekaz. Manifestimi “Epopeja e UÇK”-së përmbyllet me Natën e Zjarreve të shtunën, më 7 mars. Presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, bënë homazhe në Kompleksin Memorial të Prekazit, si dhe vizituan familjen e komandantit Adem Jashari. “Kujtojmë komandantin dhe gjithë familjen Jashari, që kanë qenë shembull i veçantë i sakrificës dhe i rezistencës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi”, - theksoi Sejdiu pas homazheve. “Kjo është dita e kujtimit për të gjithë, ditë që na bën krenarë dhe ditë që para botës liridashëse mbetet nga shembujt më unikalë të sakrificës dhe vetëflijimit të një populli”, - tha presidenti Sejdiu.
Surroi: “Kosova ka një politikë të jashtme shumë të varfër”
Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se politika e jashtme e Kosovës, në vitin e parë të pavarësisë së saj, është e varfër. Ai theksoi nevojën e një platforme të politikës së jashtme që do të duhej të miratohej nga Parlamenti i Kosovës. Surroi tha se Kosova ka pasur fat shumë të mirë se politika e jashtme është udhëhequr jo në Prishtinë, por në Uashington e në Londër, në kryeqytetet e shteteve që kanë sponsorizuar pavarësinë, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se mund të mbështetesh gjithmonë te të tjerët. Ai vlerësoi se është një varfëri e skajshme në krijimin e politikës së jashtme, në zbatimin e saj, në institucionalizimin e saj dhe të gjitha këto, sipas tij, reflektohen në situatën në vend. “Më duket se lobimi është shumë i varfër, improvizues. Nuk kam besuar se do të vijë një kohë kur pas një viti do t'i binte ndërmend presidentit që të trokasë nëpër dyert e ambasadave, kjo është një punë e ambasadorëve të Kosovës, jo e presidentit të Kosovës”, - ka thënë ndër të tjera Surroi.
6 Mars 2009