E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Credit Car”, kontrollohen 2625 makina, 47 bllokohen



Tiranë - Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Credit Car”, strukturat e Policisë së Shtetit kanë zhvilluar një operacion për goditjen e trafikut të makinave të vjedhura. Ky operacion u fokusua gjithashtu edhe në kontrollin e autostradave e rrugëve në zonat më të ndjeshme të qyteteve, si dhe në kontrollin e tregjeve të makinave të përdorura. Koordinimi i veprimeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë zhvillimit të këtij operacioni u krye nga grupi i punës i ngritur në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit.
Në kuadër të këtij operacioni nga strukturat e Policisë së Shtetit janë verifikuar rreth 2.655 automjete të llojeve e tipave të ndryshëm. Nga verifikimet e kryera përmes Interpolit kanë rezultuar të vjedhura jashtë shtetit 47 prej tyre, nga këto: 23 automjete që kanë rezultuar të vjedhura janë konstatuar në qarkun Tiranë, 8 automjete në Qarkun Durrës, 4 automjete në qarkun Lezhë, 3 automjete në qarkun Fier, 3 automjete në qarkun Vlorë, 2 automjete në qarkun Elbasan, 1 automjet në qarkun Shkodër, 1 automjet në qarkun Berat dhe 1 automjet në qarkun Gjirokastër. Automjetet e trafikuara, kryesisht të tipit të fundit, pas verifikimeve të kryera kanë rezultuar të vjedhura në vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian si: Itali, Gjermani, Norvegji, Francë, Belgjikë, Zvicër, Republikën Çeke, Bullgari, Serbi dhe Rusi. Policia tha se vëmendje e veçantë i është kushtuar pikave të kalimit kufitar për të zbuluar formën e mashtrimit të trafikimit të makinave të blera me kredi, makinave të marra me qira, mashtrimit me siguracione etj.

Aksidentet automobilistike, një vdes dhe një plagoset

Tiranë – Policia ka arrestuar 22-vjeçarin Renato Yzo për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen Passat”, me targa MRH 2412, ka aksidentuar këmbësorin Qerim Luli, i cili është dërguar menjëherë në spital, por më pas ka gjetur vdekjen. Një tjetër aksident ka ndodhur në afërsi të Bërrylit. 28-vjeçari Erald Bakalli, duke drejtuar automjetin tip “BMW”, me targa TR 9622 F, ka aksidentuar drejtuesin e motoçikletës tip “Jamaha”, 37-vjeçarin Ilir Koshi. I aksidentuari u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Vrasja më 22 shkurt, në pranga si të dyshuar vëllai me të shoqen

Gjirokastër - Një çift ka rënë në prangat e Policisë së Gjirokastrës nën akuzën e vrasjes. Dritan Skënderi 36 vjeç dhe Refike Gjini 29 vjeç, dyshohet të kenë vrarë atë me armë zjarri, pas një konflikti për motive të dobëta, në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Lazarat, vëllanë e Dritanit, Adriatik Skënderin.
Skënderi është vrarë disa ditë më parë, por vdekja e tij u dyshua si vetëvrasje. Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve pas kontrolleve në vendngjarje dhe pak ekzaminimit të kufomës, kanë mundur të zbardhin ngjarjen dhe të venë në pranga autorët. Në përfundim të veprimeve hetimore policia e Gjirokastrës, rreth orës 16:00, të ditës së djeshme ka ndaluar dy personat si dhe ka mundur të sekuestrojë armën e krimit, një automatik model 56.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›