E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dënuarat, aktivitet kulturor me rastin e 8 Marsit



Tiranë - Në prag të ditës së 8 Marsit, disa prej të dënuarave u bënë pjesë e aktiviteteve social-kulturore të organizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal “Jordan Misja” në Tiranë, gratë dhe vajzat e privuara nga liria prezantuan momente nga jeta e tyre si dhe interpretuan një pjesë teatrale. Ato përcollën mesazhe paqeje edhe për gratë jashtë këtyre institucioneve. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, këto aktivitete ndihmojnë në krijimin e një ambienti sa më gjallërues në institucionet penitenciare, duke pasur si qëllim trajtimin sa më human të grave në konflikt me ligjin.

KSHH-ja mbështet grevën e paraplegjikëve

Tiranë - Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK) dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) me anë të një deklarate kanë mbështetur dje grevën e urisë të filluar nga personat para dhe tetraplegjikë. “Kjo kategori e shoqërisë shqiptare, krahas gjendjes së vështirë shëndetësore e sociale, po ndesh sot akoma më shumë edhe mospërfilljen e shtetit dhe qeverisë shqiptare”, -thuhet në këtë deklaratë. Në Shqipëri, personat para dhe tetraplegjikë diskriminohen në çdo aspekt të jetës së tyre, janë në kushte ekstreme të varfërisë si rrjedhojë e mjeteve të pamjaftueshme për të përballuar jetesën e përditshme, ka një mungesë totale të shërbimeve sociale, shëndetësore e rehabilituese, jetojnë dhe përballen çdo ditë me një infrastrukturë e ambient të pa përshtatur, mungesa të cilat ndikojnë në kufizimin e pjesëmarrjes së tyre në baza të barabarta në shoqëri. Me anë të kësaj deklarate, organizatat tona kërkojmë tërheqjen e vëmendjes së Qeverisë shqiptare për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë kërkesave të tyre, të cilat janë minimale në krahasim me gjendjen e nevojat e këtij grupimi, duke i rikujtuar detyrimet kushtetuese që shteti ka kundrejt çdo shtetasi shqiptar.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›