Sejdiu: “Serbia shpenzon ndihmat e BE-së për trazirat në Kosovë”
Blerina Olldashi
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për mediat është shprehur se shkaktarja e trazirave aktuale në Mitrovicë dhe në Luginën e Preshevës është Serbia, e cila gjithmonë në kohë dhe situata të veçanta ka krijuar probleme. Sipas presidentit kosovar, Serbia është munduar të krijojë trazira edhe në vendbanimet shqiptare në Bujanoc dhe Medvegjë. Pwr të arritur qëllimet e saj, Serbia ka paguan shuma të mëdha parash, të cilat i merr nga vendet e ndryshme europiane. “Këto turbullira e tensione janë “paralele dhe zigzage” sido që t’i krahasojmë ato, qoftë në një hark kohor, qoftë në një hark hapësinor. Natyrisht, Serbia i ‘ushqen’ këto struktura paralele në Kosovë, duke harxhuar edhe shuma të mëdha parash, duke shfrytëzuar edhe ndihmat që merr nga vendet e ndryshme europiane, të cilat vetëm vitin e kaluar kanë shpenzuar deri në 200 milionë euro”,- theksoi Sejdiu. Sipas presidentit, dëshira e Serbisë është të krijojë si në veri të Kosovës edhe nw Kosovën Lindore situata krize për të provokuar qytetarët, në mënyrë që ata, sipas planit serb, të kalojnë në veprime të pamatura e të pakontrolluara. Ai me këtë rast theksoi marrëdhëniet e mira të Kosovës me Maqedoninë, marrëdhënie këto që së shpejti do të ngrihen në nivel diplomatik ambasadorësh. Ai theksoi se njohja e Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi ka ndodhur në një moment tepër të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por edhe pwr rajonin në përgjithësi. “Këto njohje të dy vendeve fqinje kanë ardhur në një moment tepër të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, por edhe për Ballkanin dhe rajonin në përgjithësi. Këto njohje erdhën në një kohë kur Serbia ka folur shumë se nuk do të kishte njohjen e atyre vendeve fqinje. Për këtë, Serbia ka “shpenzuar” dhe ka bërë presione të shumta”,- theksoi Sejdiu. Ndër të tjera, presidenti kosovar u shpreh optimist se procesi i njohjes së Kosovës do të vazhdojë dhe Kosova do të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare siç është OKB-ja, Banka Botërore etj.
NATO-ja diskuton për misionin në Kosovë dhe afrimin me Rusinë
Përveç rivendosjes së marrëdhënieve me Rusinë, ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë diskutuar dje edhe për strategjinë e veprimeve në të ardhmen në Kosovë. Sekretari i Aleancës, Jap de Hop Shefer, ka shprehur dëshirën për një riafrim me Rusinë. “Qëndrimi i Moskës është përmirësuar prandaj nga të dyja palët mund të ndërmerren bisedime të rangut të lartë në Këshillin NATO-Rusi”, - tha Shefer para fillimit të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel. Për shkak të luftës në Gjeorgji në muajin gusht, këto bisedime ishin ndërprerë. Në takimin e djeshëm për herë të parë mori pjesë edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton. Raportet NATO-Rusi ishin ngrirë pas luftës së gushtit të kaluar në Gjeorgji. “Tani na duhet të diskutojmë hapat e tjerë të mundshëm, përfshi rifillimin e bisedimeve zyrtare të Këshillit NATO-Rusi. Mendoj se duhet të reflektojmë një axhendë pozitive që dëshmon rëndësinë e NATO-s dhe Rusisë në sigurinë europiane dhe globale”, - tha de Hop Shefer. Pjesëmarrësit në takim zhvilluan bisedime edhe me homologët e tyre nga Gjeorgjia e Ukraina si dëshmi e interesit të NATO-s për këto vende.
6 Mars 2009