Prokurorët e EULEX-it takim me serbët në Beograd
Prokurorë të misionit europian për drejtësi dhe polici, EULEX, janë takuar dje në Beograd me prokurorin për krime të luftës të Serbisë, Vladimir Vukçeviç. Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e dy prokurorive në zbulimin, arrestimin dhe gjykimin e personave të dyshuar për krime të luftës dhe vepra tw tjera kriminale që gjenden në Kosovë. Temë diskutimi ishte edhe shkëmbimi i informacioneve dhe provave që posedojnë të dy këto organe gjyqësore. Një tjetër çështje e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe mundësia e ekstradimit në Serbi të tre pjesëtarëve të “Grupit të Gjilanit” të ish-UÇK dhe të UÇPMB-së, të cilët sipas Prokurorisë serbe gjenden në territorin e Kosovës.
Tema tjetër ishte ekzistimi i varrezave masive të serbëve të rrëmbyer në territorin e Shqipërisë dhe tregtimi me organet njerëzore. Takimi me Vukceviç, në Beograd, ishte i pari i EULEX-it me zyrtarët e gjyqësisë serbe dhe u bë me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Luftës të Serbisë.
Putin paralajmëron: “BE-ja sërish në rrezik për gaz”
Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka tërhequr vërejtjen se do të ndërpresë sërish furnizimin me gaz të Ukrainës, nëse kjo e fundit nuk i paguan detyrimet ndaj Gazpromit deri të shtunën. “Mospagesa nga ana e Ukrainës do të ndikojë edhe në furnizimin e Europës me gaz”, - tha Putin. Ndërkohë kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko, u takua dje me presidentin francez, Nikolas Sarkozi, me tw cilin ajo diskutoi çwshtjen ruso-ukrainase të gazit dhe bashkëpunimin dypalësh për çështjet bërthamore dhe aeronautikën.
“Ne kemi diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për çështjen bërthamore për nxjerrjen e uraniumit ukrainas, ndërtimin e centraleve bërthamore në Ukrainë dhe për përmirësimin e situatës energjetike në vend”,- deklaroi Timoshenko për shtypin. Ajo theksoi se kishte biseduar me presidentin francez Nikolas Sarkozi për krizën ekonomike dhe për një mbështetje të mundur nga Franca për çështjen e buxhetit dhe gazit. Rusia ndërpreu për dy javë në muajin janar dërgesat e gazit nëpërmjet Ukrainës.
6 Mars 2009