Cirku i Metropolit përfaqëson Shqipërinë në Maqedoni
Trupa e Cirkut të Metropolit përfaqësoi Shqipërinë në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 15-vjetorit të Federatës Europiane të Shkollave të Cirkut Profesionist në Strumicë të Maqedonisë.
Zyra e shtypit e Cirkut të Metroplit bëri të ditur dje për ATSH-në se ky përvjetor u festua të hënën, më 2 mars, me organizimin e Karnavaleve të Strumicës. Në të morën pjesë trupa të të artistëve të Cirkut nga shumë vende të Europës, si Italia, Sllovenia, Bosnja, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, etj. Trupa e Cirkut të Metropolit, e përbërë nga 17 artistë, demonstroi një kolazh akrobacie, ku përfshiheshin plastika, kllounate, zhonglerim, monociklizëm, patina, etj.
Cirku i Metropolit ka nisur aktivitetin e tij në fillim të vitit 2008, ndërkohë që ai është pjesë e qendrës kulturore “Tirana”, e themeluar që në vitin 2005.
Fondacioni grek i Kulturës nis veprimtarinë në Tiranë
Fondacioni grek i Kulturës tashmë vjen edhe në Shqipëri. Me krijimin e zyrës së tij në kryeqytet, ky fondacion bën publik nisjen e veprimtarisë së tij në vendin tonë. Në konferencën për shtyp të mbajtur me këtë rast, kryetari i fondacionit, Georgios Babinoti, mes të tjerash është shprehur: “Ne duam të transmetojmë te ju kulturën greke, që e ka zanafillën nga lashtësia dhe në qendër të saj ka humanizmin”. Fondacioni grek i Kulturës do të organizojë aktivitete të ndryshme në kryeqytet për një muaj, deri në datën 5 prill ‘09. Pasditen e djeshme pritej të çelej një ekspozitë libri me përkthime të veprës së poetit grek Kavafi, e titulluar “Duke udhëtuar me Kavafin”. Në të ardhmen nuk do të mungojnë aktivitete të tjera të këtij fondacioni të cilat kanë të bëjnë me ekspozita fotografike, filma, muzikë etj.
Fondacioni grek i Kulturës ushtron aktivitetin në disa vende të botës. Ai u themelua nga parlamenti grek para 17 vitesh me qëllim që të promovojë kulturën greke nëpër botë.
6 Mars 2009